Kosova dhe Shqipëria bashkë në Kanë

Sot fillon edicioni i 68-të i festivalit të Kanës. Ky është viti i parë që në Festivalin e Kanës, Kosova dhe Shqipëria ndajnë një stend në tregun më të madh të filmit në Kanë, ndërsa për Kosovën është viti i katërt që është pjesë e këtij tregu.

Drejtori i QKK-së të Shqipërisë, Z. Ilir Butka rreth këtij bashkëpunimi u shpreh: “Ky prezantim i përbashkët nuk ka për qëllim vetëm promovimin e kinematografisë sonë por mund të konsiderohet si një oportunitet për të identifikuar studiot ndërkombëtare kinematografike që janë të interesuara për realizimin e ko-produksioneve me Shqiperinë dhe Kosovën.”

Ndërsa drejtori i QKK-së të Kosovës, Z. Arben Zharku tha: “Jemi shumë të kënaqur që po ndajmë edhe në Kanë hapësirën e përbashkët me Shqipërinë dhe bashkë me ta kemi mundësinë t’i prezantojmë veprat më të reja të kinematografisë sonë.”

Përmes një komunikate të lëshuar për media bëhet e ditur se QKK në Kanë do të prezantohet me filmat më të ri të përfunduar. Do të promovohen filmat e metrazhit të gjatë, të shkurtër, dokumentar e animacion. Gjithashtu do të promovohen edhe filmat e studentëve të cilët QKK i ka mbështetur në bazë të marrëveshjes mes Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Fakultetit të Arteve.
Gjatë kësaj kohe gjithashtu do të ketë takime me institucione të filmit, fonde të filmit dhe do të bëhen disa marrëveshje për të cilat do të ju njoftojmë./Gazeta Tribuna/