“Koko Fest” shndërron Korçën në destinacionin e artistëve dhe të humorit

Festivali Mbarëkombëtar i Komedisë do të shndërrojë Korçën në një qytet festiv dhe argëtues për qytetarët dhe turistët që vizitojnë qytetin e serenatave.

“Koko Fest” vjen me edicionin e pestë nga data 1-8 shtator me artistët më të mirë të të gjithë trevave shqiptare, jo vetëm të humorit.

Teatri i Shkodrës, i Fierit, i Vlorës, i Durrësit, i Gjirokastrës, i Korçës pa dyshim dhe trupa të tjera që vijnë nga Kosova e Maqedonia, kanë qenë pjesë konkurruese e këtij festivali, vit pas viti. Këtë vit, do të shfaqen 8 premiera.

Në natën e tretë të “Koko fest”, Teatri i Korçës do të sjellë një premierë të re që po punohet nga regjisori Guri Koço. Teatri “Petro Marko” në Vlorë, konkurron me veprën “Në dorë të fatit” me regji të Arben Kumbaros.

Teatri i Durrësit përfaqësohet me regjisoren Driada Dervishi me “Komedia që shkon për dreq”, Teatri i Prishtinës, vjen me një vepër që mban firmën e regjisë së Ilir Bokshit. Në finalen e “Koko Fest”, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” do të konkurrojë me “Darka e Lamtumirës” me regji të Kiço Londos, transmeton atsh.

Reshat Arbana, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Yllka Mujo, Guljem Radoja, dhe anëtarët e jurisë, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani, Rajmonda Bulku, Adem Karaga nga Maqedonia dhe Enver Petrovci nga Kosova do të jenë pjesë e këtij edicioni të pestë, bashkë me të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë festival , të cilët do ta ndjekin “Koko Festin” në të gjitha ditët e tij.

Publiku gjithashtu, e ndjek më shumë dëshirë këtë festival , por edhe shumë turistë që e vizitojnë Korçën gjatë ditëve të festivalit.