Justifikohen ndryshimet në Hamamin e Prizrenit

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit, përkatësisht drejtuesi i saj, Samir Hoxha, ka arsyetuar punimet e realizuara në Hamamin e Prizrenit, për të cilat pati reagime të shumta pas publikimit të disa fotove.

“Në projekt është marrë parasysh se mund të dalin punë të pa parapara që është një fenomen i zakonshëm kur bëhet fjalë për plane restaurimi-konservimi apo gërmimi.Po ashtu duhet cekur se në parim dhe çdo herë ‘projekti i restaurimit përfundon kur përfundojnë punimet e restaurimit’, andaj ndryshimet që mund paraqiten gjatë restaurimit bazuar në fakte që zbulohen gjatë punës është shumë normale”thuhet në njoftim.

Në fund, suvatimi i tambureve me llaq horosan është bërë në bazë të gjetjeve orgjinale në vend (por edhe fotove), por edhe për shkaqe praktike-sigurie nga lagështia që tullat nuk janë rezistenete ndaj kushteve atmosferike është marrë vendimi në konsultim me Prof. Dr. Zeynep Ahunbay si mbikqyrëse e punimeve nga ana e UNESCO-së.

“Po ashtu duhet theksuar se në restaurim nuk ka vend për termin”po më pëlqen, ose jo”, por a është në përputhje me orgjinalin edhe pse ajo mund të mos duket mirë” thuhet më tej në njoftim.

Marrëveshja e QRTK të Prizrenit dhe UNESCO-s, parashihte restaurimin e Hamamit në shumë prej 670.190 euro, pjesë e të cilave i ka ndarë Qeveria e Turqisë .

UNESCO ka përzgjedhur si punëkryes kompaninë ndërtimore NN “El-Com” nga Prizreni për shumën rreth 214.000 dollarë amerikan, kurse konsulente ka qenë Zeynep Ahunbay, eksperte për arkitekturën e periudhës osmane.