“JAVA E RINISË KREATIVE” MBLEDHË ARTISTËT E RINJ NË PEJË

Për herë të dytë radhazi qyteti i Pejës do të jetë nikoqir i artistëve të rinj që do të mblidhen në kuadër të “Javës së rinisë kreative” që mbahet mes datave 7 e 11 tetor.

Një ndër aktivitetet kryesore të kësaj jave është ekspozita “Promovimi i kreativitetit tek Rinia” që përfshinë piktura, skulptura, fotografi e punime të tjera kreative.

Kurse një vend të veçantë në këtë javë ka edhe punimi i një grafiti në mur, me temën “Edhe unë jam Evropë”, që ka për qëllim të trajtojë liberalizimin e vizave duke u fokusuar në rritjen e mundësive për të rinjtë që të udhëtojnë.

Taulant Devolli, kryetari i Këshillit të Veprimit Rinor Lokal të Pejës, tha për KosovaLive se pasi që artistëve të rijnë të shumë fushave artistike u mungon hapësira ku ata të shfaqin talentin e tyre është parë si e arsyeshme që atyre t’u krijohet një mundësi e këtillë.

“Pjesëmarrja këtë vit ka qenë e kënaqshme, por si gjithmonë këto lloj organizimesh mirëpresin numër më të madh pjesëmarrësish. Aplikantë deri tani ka pasur nga Peja, Gjakova, Deçani, Istogu dhe Mitrovica dhe shpresojmë që ky numër të shumëfishohet dhe të pasurohet, nëse jo këtë vit atëherë për vitin tjetër”, tha Devolli.

Ky aktivitet ka për qëllim t’i mbledhë artistët e rinj nga mbarë Kosova dhe t’i inkurajojë ata të shfaqin talentet e tyre në disa fusha të ndryshme artistike.

Projekti financohet nga Komuna e Pejës, Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, dhe organizohet nga KVRL në Pejë në bashkëpunim me Qendrën Rinore Peja, dhe Qendrën Rinore “Atë Lorenc Mazrreku”.