Ismail Kadare sot mbushë 80 vjet

Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Autori emblemë i shqiptarëve, Ismail Kadare, sot mbushë 80 vjet. Kadare, emri absolut i letërsisë shqipe në dekadat e fundit, vazhdon edhe sot të lexohet me ëndje nga lexuesi në mbarë botën, duke lidhur kësisoj në librat e tij historinë faktike, gojëdhënat shqiptare dhe postmodernizmin letrar, gjithmonë me Shqipërinë si shtetin e tij.

Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri dhe veprat e tij janë përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të botës. Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man Booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Ai e ka ndarë jetën e tij mes Francës dhe Shqipërisë, dhe është martuar me shkrimtaren e njohur të skicave dhe tregimeve për fëmijë, Helena Kadare. Nga viti 2015, me pëlqimin e autorit, fondacioni Mapo filloi të ndajë çmimin “Kadare” për letërsi.
Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.

Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me cmimin Lerici Pea [4]. “Dhënia e cmimit Lerici Pea 2010 autorit Kadare – shkruhet në motivimin e cmimit – nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu mohoen liritë themelore”. Qëllimi i cmimit është promovimi i poezisë, në vecanti i poetëve të rinj, eksperimentimi i gjuhëve të reja poetike dhe njohja e poetëve të mëdhenj.

Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Shkrimtari ka dy jetë

Ja si e përshkruan Kadare ditëlindjen në librin “Ftesë në studio”

Kur në letra të ndryshme (anketa, kërkesë për vizë etj.) shënoj datën e lindjes, 28 janar 1936, vetëtimthi më shkon nëpër mend fjala “e mërkurë”. Ti ke lindur të mërkurën, më thoshte shpesh im atë, thua se kjo kishte një rëndësi më vete. Kur ishte në qejf, çka ndodhte rrallë, shtonte se atë të mërkurë, usta Vasili, që e kishim fqinj dhe që na riparonte pullazin e pjesës perëndimore të shtëpisë, porsa e kishte lënë punën për të ngrënë drekë, dhe, ndërsa zbriste nga shkalla, e kishte uruar babanë: me një djalë! Disa minuta më pas, në dhomën e dimrit, që ndodhej pikërisht në atë pjesë të shtëpisë, pullazi i së cilës riparohej, linda unë. Ndonëse nuk e shpjegonte, kuptohej që babai i jepte një kuptim të jashtëzakonshëm urimit të mjeshtrit, që ishte duke vendosur pllakat e gurta, krejt si një mburojë sipër meje, në kohën që unë vija në jetë.

Im atë ishte i gjatë, i drejtë, fliste pak dhe, përgjithësisht, rrinte i zymtë. Vjen i ftohtë, i thoshin gjyshes shoqet për të, dhe me bisht të syrit vështronin nga unë, thua se donin të kuptonin a do t’i ngjaja. Kishte punuar disa vjet në Afrikën Veriore dhe ishte ndoshta kjo arsyeja që më kishte thënë disa herë se viset më të bukura në botë duhej të ishin vendet skandinave. Nuk kishte qenë kurrë atje, por i lodhur, siç duket, nga zhegu i shkretëtirës, nuk ëndërronte veç vise të ftohta. Kishte qenë, ndoshta, kjo arsyeja që pas kthimit nga Afrika kishte pranuar të punonte vite me radhë si ftues gjyqi në Alpet e Shqipërisë Veriore.
Gjyshin nuk e mbante mend askush në Gjirokastër. Kishte vdekur fare i ri, njëzet e pesë ose njëzet e tetë vjeç, fill pas martesës dhe pas mbarimit të studimeve të larta në Stamboll. Atje dhe u varros, pa u kthyer dot në qytetin e lindjes. Në shtëpinë tonë flitej përherë për një kësoll të madh në Stamboll, kësollin e gjyshit, dhe qysh herët në ndërgjegjen time fjala “Stamboll” shoqërohej gjithmo-në nga një ceremoni funebre.
Ndryshe nga gjyshi, që i ngjasonte një fantazme, stërgjyshi kishte qenë për mua më i prekshëm. Kur në moshën dymbëdhjetëvjeçare botova vjershat e para, nisa të dëgjoj përherë e më shpesh komentet e shoqeve të gjyshes: do të bëhet i dëgjuar si Ismail Kadareja. Kështu quhej stërgjyshi im, i cili paskësh qenë i dëgjuar në Gjirokastër për… kalcunjat (lloj çorapesh) e bukura që mbante. Me fjalë të tjera, për ndjekjen e modës. Paskëshin qenë kaq të bukura kalcunjat e tij, saqë në një këngë të njohur gjirokastrite, ku këngëtari rendiste gjërat që mund ta bënin të lumtur një njeri, krahas “sarajeve të vezirit”, “kopshtit të Çelo Kailit”, “nuseve të Dane Bakirit” dhe “zërit të bilbilit”, ishin dhe “kalcunjat e Ismailit”.
Kështu që më pëlqente ose jo, ideja e famës iu shfaq së pari ndërgjegjes sime në formë çorapesh të bukura. Në vitet studenteske, sidomos në ato të Moskës, kur pasioni për letërsinë m’u zbeh ca kohë, për shkak të ndjekjes së modës, disa herë më janë kujtuar, bashkë me fjalët: “ka për t’u bërë i dëgjuar si Ismail Kadareja”, kalcunjat e stërgjyshit. Me sa dukej, fama u mëdysh në fisin tonë midis sqimës në të veshur dhe letrave, dhe turbullira ime moskovite s’qe veç një shenjë e fundit që më dërgonte im stërgjysh për të më mbushur mendjen se lavdia më e sigurt ishte ajo e tij.
….
Kur isha katërmbëdhjetë-pesëmbëdhjetë vjeç, më dukej mosha mbi njëzet vjeç tepër e mërzitshme. Vetë fjala “njëzet” më ngjante se ishte ngjizur me mërzi dhe fillim pleqërie.
Kur isha njëzet e dy-njëzet e katër vjeç, ndonëse shqyhesha gazit me marrëzinë e parë, isha i bindur se, sidoqoftë, koha më e mirë për një shkrimtar për të vdekur ishte aty nga tridhjetë e një-tridhjetë e dy vjeç. Kur e mbërrita këtë kohë, ideja ime për moshën pësoi një trandje njëherë e përgjithmonë.

Ishte pak a shumë në atë kohë që e ndjeva së pari se shkrimtari ka dy jetë krijuese, një të gjatë e monotone e një tjetër të shkurtër si shkreptima.

Që shkrimtari është, gjithashtu, dymoshës (mosha fizike e tij dhe mosha e famës ose, së paku, e kujtimit të tij, qoftë edhe me një famë gjysmë të shuar), këtë e dija qyshkur. Ajo që zbulova ishte tjetër gjë dhe pikërisht që kjo dymoshësi ose, më saktë, mosha e tij e dytë, ajo e madhja, është dhe një nga shkaqet e keqkuptimeve midis shkrimtarit dhe kohës së vet.

Keqkuptimet janë të pashmangshme, po të kujtojmë se kur një njëzetvjeçar e ka vështirë të merret vesh me një tetëdhjetëvjeçar, si do ta ketë të lehtë të kuptohet me një tetëqindvjeçar (që është mosha mesatare për shkrimtarin e shquar) e aq më shumë me një dymijëvjeçar (moshë mesatare e të mëdhenjve)?E keqja është se qysh se është gjallë (domethënë në moshën e tij të parë), shkrimtari e ndien moshën e dytë. Ai ndien peshën e saj, lumturinë, trishtimet dhe gjithçka tjetër të saj, që, duke qenë të përmasave të tjera, ngjajnë të mbikësojetshme.

Ai është dyzet vjeç, por një zë i brendshëm i thotë: në të vërtetë, ti je ende dy vjeç, kështu që sipas kalendarit tjetër, atij të dytit, ti ke ende një mijë e katërqind vjet për të jetuar. Por në moshën e dytë të shkrimtarit kalendari mund të ecë mbrapsht, domethënë shkrimtari, me kalimin e viteve, në vend të plaket, mund të rinohet edhe më. Të gjitha këto sjellin në jetën e shkrimtarit një tjetër ajër e tjetër klimë nga të tjera zona. Që e gjithë kjo të shëmbëllehet me punët hyjnore, çka edhe shpesh është bërë, gjithashtu është e kuptueshme. Më shumë se një vetëmburrje e shkrimtarëve, ky hyjnizim i punës së tij ka ardhur nga vështirësia për të shpjeguar të fshehtën e dy kalendarëve.

(Marrë me shkurtime nga libri i Kadaresë “Ftesë në studio”) / KultPlus.com