Historia njëqindvjeçare e Taivanit vjen në “DokuFest”

Në festivalin që e ka vënë Kosovën në hartën e kinematografisë botërore, për herë të parë, do të prezantohet një retrospektivë e filmave tajvanezë.
I titulluar “Birth of a Nation: Focus on Taiwan” (Lindja e një kombi: fokusi në Tajvan) program i veçantë i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar e të shkurtër “DokuFest”, do ta njoftojë audiencën kosovare me çështje shoqërore e politike të vendit aziatik, duke sjellë edhe referenca në historinë turbulente të Tajvanit, meqë do të shfaqë filma të hershëm të viteve ’60 e ’80. Edicioni i 17-të i “DokuFestit” do të mbahet prej 3 deri më 11 gusht.
Drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar të Tajvanit, Wood Lin, është ftuar ta kurojë programin me 20 filma, nëpërmjet të cilëve në ekran pasqyrohet periudha pothuajse njëqindvjeçare e historisë së Tajvanit, duke nisur nga koha e kolonisë japoneze e deri tek lëvizja “Luledielli” e udhëhequr nga studentët, më 2014.