Haradinaj: Opera “Scanderbeg” na frymëzon edhe sot në 550 vjetorin e vdekjes së tij

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në performimin e operës “Scanderbeg” që kompozitori italian me nam botëror, Antonio Vivaldi, ia kishte kushtuar heroit kombëtar të shqiptarëve. Opera u dha në katedralen “Shën Tereza” në Prishtinë në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Haradinaj tha se kjo vepër frymëzon shqiptarët gjithandej në 550 vjetorin e vdekjes së kryeheroit të shqiptarëve, Skënderbeut.

Image

“Interpretim i jashtëzakonshëm i Operës ‘Scanderbeg’ të kompozitorit Antonio Vivaldi nga Ansambli barok ‘Aurata Fonte’. E performuar për herë të parë në Firencë, 300 vjet më parë, kjo kryevepër operistike kushtuar Gjergj Kastriotit, vazhdon të na frymëzojë edhe sot, në 550-vjetorin e vdekjes së tij”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Si nyjë e unitetit dhe lidhjes sonë me Evropën, thotë kreu i ekzekutivit, roli dhe vizioni i Kryeheroit të shqiptarëve në rrënjosjen e idesë properëndimore, mbetet fuqi prijëse e synimeve tona kombëtare.

Besa Luzha, si njëra prej organizatorëve të koncertit, ka thënë se ngjarja ka ardhur nga iniciativa që është nisur qysh vitin e kaluar midis një korrespodence të saj dhe Perikli Pites për punën hulumtuese që ai ka bërë viteve të fundit. Fillimisht ishte menduar që të sillet pak atmosfere barokiene në Kosovë.

“Kjo iniciativë e gjeti mundësinë që të konkretizohet sivjet. Me propozimin e Perikliut u gjet momenti që në kuadër të manifestimeve të shumta të Qeverisë për Skënderbeun, arritëm që të sjellim një koncert premierë”, ka thënë ajo për “Kohën Ditore”.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, Jahja Lluka, këshilltar i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut është në fazën e fundit.

Kujtojmë se kanë mjaftuar dy ditë që të tërhiqen 500 bileta nga katedralja “Nënë Tereza”, ku edhe u dha koncerti. Madje, janë shtuar edhe 300 karrige që t’u bëhet vend të interesuarve.

Vepra “Scanderbeg” është premierë në Kosovë, madje në versionin që vjen, edhe premierë botërore.