Hapet festivali folklorik gjithëkombëtar “Rapsodia shqiptare”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në hapjen e Festivalit folklorik gjithëkombëtar “Rapsodia shqiptare”, edicioni i XIV, e cila mbahet në Skenderaj.

Kryeministri Haradinaj tha se ideja e këtij festivali kushtuar një heroi dhe ruajtja e traditës në vazhdimësi nuk është e tashme ndër shqiptarët. “Lahutarët tanë e ciceronët e luftërave e kanë ruajtur gjallë kujtesën e epopeve dhe ngjarjeve të mëdha, të heronjve tonë. Duke ruajtur dhe kultivuar kujtesën për Hamëz Jasharin, nderohet edhe artisti, por edhe të gjithë ne dhe kjo është një mënyrë e mirë që të e vazhdojmë ta ruajmë gjatë kujtesën ndër breza”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se sot në kombin tonë ka mijëra këngë, poezi e vepra tjera kushtuar heroit tonë, Komandantit Legjendar Adem Jashari, bacës Shaban, Hamzës dhe Familjes, por kjo kurrë nuk mjafton.

“Një histori që nuk ruhet që nuk mbahet gjallë, që nuk kultivohet do të përsëritet. A është më e lehtë me mbajt gjallë atë që kemi kaluar, apo ajo të na kthehet”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se është në nderin dhe dobinë tonë, si njerëz, si shqiptarë të Kosovës, qoftë si popull, apo si evropian që duam t’i takojmë popujve të lirë, ta kultivojmë të vërtetën, sakrificën dhe dhimbjen tonë, atë që ka ndodhë me popullin  tonë, heroizmin dhe atë se si kemi ardhur deri në liri.

Kryeministri Haradinaj në fund të fjalës së tij uroi të pranishmit për festën që siç tha ai i bashkon të gjitha festat, festën më të madhe shqiptare.