Hapet ekspozita “Një jetë bardh e zi”

Sot në Galerinë e Ministrisë së Kulturës bëhet hapja e ekspozitës “Një jetë bardh e zi”, e Avni Pantinës, e cila përmban një set të fotografive bardh e zi, që autori i ka realizuar në Somali të Afrikës.

Karakteret e kapura nga syri i aparatit të Pantinës paraqesin një popull të vuajtur dhe në varfëri të skajshme, mirëpo me një kulturë shumë fisnike dhe dinjitoze.

Kjo është ekspozita e tij e parë personale në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

Pantina është fitues i disa shpërblimeve brenda dhe jashtë vendit si “Salloni i Nëntorit” në Prishtinë në vitin 2010, çmimin për grafikën më të mirë në vitin 2015 në Fakultetin e Arteve-Universiteti i Hacettepes në Turqi, etj.

Deri më tani, Avni Pantina ka realizuar pesëmbëdhjetë ekspozita, prej të cilave shtatë në Turqi, një në Somali dhe të tjerat në Kosovë.