“Foto Flaka” mbledh artistë nga të gjitha trojet shqiptare

“Foto Flaka”, manifestim përcjellës në kuadër të “Flakës së Janarit 2018”, ka mbledhur fotografë nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët i kanë ekspozuar fotografitë e tyre në foajenë e Teatrit të Gjilanit dhe aty vizitorët do të mund t’i shohin deri në përfundimin e manifestimit.

Burim Baftiu, organizator, ka thënë se “Foto Flaka” do të qëndrojë e hapur prej 20 deri më 27 janar, kur do të ndahet çmimi për fotografinë më të mirë dhe filmin më të mirë.

Sipas tij, të ekspozuara janë 36 fotografi, të gjitha me format të njëjtë, në mesin e 70 fotografëve të ndryshëm që i kanë dërguar ato, por që organizatori ka vendosur që t’i printojë 36 prej tyre.

Baftiu, thotë se edhe sivjet nuk ka pasur ndonjë temë të caktuar, por ka bërë me dije se fotografitë janë me motive të ndryshme.

“Motivet janë të llojllojshme, peizazhe, portrete, laramani motivesh. Fotografitë janë të formatit të njëjtë, ato fotografët i kanë dërguar në formë elektronike dhe organizatori i ka printuar dhe janë vendosur në ambientin e caktuar”, ka thënë Baftiu, duke shtuar se do të zgjidhet vetëm fotografia më e mirë.