Filigrani, magjia e artizanëve shkodranë dhe origjina e këtij arti

Edhe pse nuk kanë kaluar shumë vite qëkur artizanët shkodranë arritën të pasuronin me virtuozitetin e tyre krijues galerinë etnografike shqiptare, edhe pse teknologjia e ka përsosur dhe automatizuar punën në krijimet artistike, këto magji nuk janë përsëritur.

Këto çanta, kjo tabaka, kjo kuti bizhuterish dhe kjo kupë filigrani e Shkodrës, e prezantuar në një botim të vitit 1986, natyrisht pjesë e një larmie objektesh të tjera të dala nga duarartët shkodranë, janë një tregues i vlerësimit të së bukurës dhe aftësisë së zotërimit të kësaj zeje.

Ndërmarrja Artistike Shkodër, e cila sot është një mëmuar nën rrënojat e kujtesës ka prodhuar ekzemplarë të mahnitshëm duke u bërë një dëshmitar i talentit të artizanëve të këtij qyteti, mjeshtrave që mbajtën në këmbë një traditë dhe pasuruan imazhin etnografik shqiptar. Mjeshtrit e këtij qyteti kanë mahnitur me punët e tyre në filigran, ar dhe argjend.

Stolitë dhe suveniret, gjithë ajo gamë e gjerë e promovimit të vlerës dhe konsiderimit të së bukurës erdhën dhe mbeten një shfaqje spektakolare e virtuozitetit krijues.

Siç e dini, Filigrani është punim dore me kombinim të fijeve të holla dhe kokrrave të argjendit. Çdo detal punohet me dorë me mjeshtri të të menduarit dhe të përpunimit të dizajnit. Fjala filigran rrjedhë prej gjuhës latine: filium- fije dhe granum- kokra, domethënë punim me fije dhe kokërr.

Filigrani është punim dore me kombinim të fijeve të holla dhe kokrrave të argjendit. Kjo zeje ka gjetur interesim dhe mbetet një vijues tradite, në Shkodër, si vendi i origjinës shqiptare për të patur një rol paraprijës në Prizren dhe Gjakovë, atje ku shkoi dhe mbeti dhe ku sot ka mjeshtrat e saj.

Telish (filigrani) është arti i argjendarisë me fije të holla ari ose argjendi i bërjes së sendeve tredimensionale duke krijuar motive të ndryshme. Ky është një artizanat që ka lindur dhe është zhvilluar në provincën Mardin të Anadollit. Mjeshtëri e përgatit vet me dorë çdo lloj materiali që ai do të përdorë gjatë punimit telish.

Pasi të kenë përfunduar të gjitha veprimet, mjeshtri në një vend të rëndësishëm të veprës shkruan datën dhe vendos firmën e tij. Procesi i punimeve të imta zbukuruese dhe i shkëlqimit vazhdon ende të ruhet si një traditë e mjeshtërve të paktë në numër që kanë mbetur në Mardin.

Sipas gjetjeve arkeologjike e kaluara e telishit shkon deri në 3 mijë vjet p.e.s. Kjo degë e artit tradicional ka mbërritur deri në ditët tona nga asirianët që kanë jetuar në Mesopotami. Në kohën e osmanlinjve telishi preferohej shumë dhe në ato kohëra pranohej si një degë arti që identifikohej me asirianët.

Deri në kohët e fundit vlente e njëjta gjë, por në periudhat e mëvonshme krahas asirianëve edhe myslimanët filluan që të interesohen me këtë lloj arti.

Sot, të vetmit që e konsiderojnë këtë art, këtë traditë, janë të kurajshmit e turizmit kulturor, ata, të cilët së bashku me talentin dhe magjinë e duarve të tyre, shesin botës së qytetëruar edhe copëza nga shpirti ynë, nga ajo pasuri që ishte dhe do të mbetet vitale dhe dehëse.