Edicioni i 6-të. „SEE A Paris & Berlin“ – festival i prodhimtarisë më të re të filmit në EJL

Sot në Berlin do të fillojë festivali i 6-të „SEE A Paris & Berlin“, i cili i sjell prodhimet më të reja të filmit të vendeve të Evropës Juglindore, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Festivali i cili para gjashtë vitesh filloi në kryeqytetin e Francës si „SEE A Paris“, nga viti i kaluar mbahet edhe në Berlin nën titullin „SEEFF in Berlin“, ndërsa nga ky vit do të udhëtojë edhe në Kinë, në qytetin Ningbo si „SEE in Ningbo“.

Festivali në Berlin do të mbahet në Universitetin prestigjioz dhe mbi 200 vjet të  vjetër të Humboltit, prej sot e deri më 29 maj, e pastaj „SEE Film Festival“ do të shpërngulet në Paris, ku sivjet për herë të parë prej 1 deri më 5 qershor, ky festival do të mbahet në teatrin „Palas“. Nga 8 deri më 12 qershor, ky festival i filmit do të mbahet në Muzeun e arteve në qytetin Ningbo.

Në programin e këtij festivali janë 65 filma në mesin e të cilëve filmi nga Maqedonia „Tre ditë në shtator“ të Darijan Pejovskit dhe „Hyjnizim“ nga Svetislav Podleshanov dhe Kiril Karakash.

Në programin kryesor është përfshirë edhe filmi kosovar “Babai” i Visar Morina, në të cilin bashkë prodhues është Maqedonia, ndërsa do të shfaqet edhe filmi turk „Nyelli“ i Tunk Davut.

Në edicionin e parë të festivalit në Ningbo do të shfaqen kryesisht filma të metrazhit të shkurtë, në mesin e të cilëve: „Pylli gri“ i Gjorgji Lazarov, „Pepi dhe Muto“ e Georgi Unkovski, dhe “Fëmijët e babait tim“ e Besfort Imami, nga Maqedonia./Telegrafi/