Dy “Nobel” në letërsi, triumfojnë një polak e një austriak

Diskutimet e mëdha në botën e kulturës edhe të librave u kurorëzuan sot në Stockholm me dy fitues për çmimin “Nobel” në letërsi: një për 2019-ën dhe një për vitin që lamë pas.

Çmimi Nobel për Letërsi sivjet u nda dy herë pasi vitin e kaluar akademia suedeze e kishte anuluar ceremoninë për shkak të skandaleve të sulmeve seksuale, konfliktit të interesit dhe korrupsionit që kishin prekur këtë institucion.

Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2019 e ka fituar autori austriak, Peter Handke. Ndërsa çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2018 është fituar nga autorja polake Olga Tokarczuk.

Akademia suedeze e ka shpërblyer Tokarczuk-un për “imagjinatën rrëfyese me një pasion enciklopedik që përfaqëson kryqëzimin e kufijve si formë të jetës”.

Ndërkaq, dhënien e çmimit për Handke-n e kanë argumentuar sipas tyre për “punën me ndikim që me zgjuarsinë gjuhësore e ka eksploruar periferinë dhe specifikimin e përjetimit njerëzor”.

Ismail Kadare nuk ka arritur të fitojë as këtë vit çmimin Nobel për Letërsi, edhe pse ishte në mesin e kandidatëve.