Diana Qerimi sjell “paketën” e fundvitit, statujat si aksesorë, karakteristikë e koleksionit

Jeta Zymberi

Fundviti duket sikur zgjon edhe kreativitetin. Artistë të ndryshëm sjellin “paketën” e fundvitit. Një të tillë e ka shpalosur këto ditë edhe disenjatorja e njohur Diana Qerimi. Një befasi kjo e bukur për të gjithë ata që e donë punën e saj.

Është një vij që i dallon dizajnerët nga njëri tjetri, kjo vij tek Diana është më e theksuar. Stili i saj por edhe mënyra e veçantë e prezantimit të koleksioneve kanë bërë që Diana të mbetet ndër dizajneret më të preferuara në vendin tonë.

Kësaj radhe, ajo na sjell një koleksion më ndryshe. Dukja për në mbrëmje dallon dukshëm nga ajo ditore. Qerimi kësaj radhe fokusin e ka pasur tek veshjet e mbrëmjes. Plot elegancë e stil këto veshje janë mbërthyer në një koleksion.

“Në këtë fundvit, ndryshe nga herët tjera, kam sjell një koleksion i cili nuk përmban më veshje të përditshme por më shumë për mbrëmje. Në këtë koleksion nuk kanë munguar veshjet si suita, sako me funde por kësaj radhe me një formë më ndryshe së herët tjera, duke i veçuar detajet e statujave që ne i kemi paraqitur në aksesorë e punuar nga Vlera Cocaj”, ka treguar disenjatorja.

Ky koleksion ka shpalosur 12 veshje por kjo  nuk është e gjitha, edhe pesë veshje të tjera do të publikohen në ditët në vijim, por me një formë tjetër të prezantimit.

“Duke ditur sa shumë i kushtoj rëndësi fotosesionit e prezantimit të videove, kësaj radhe kam sjell bagazhin tim të mbledhur për një kohë jam munduar ta prezantoj përmes projekteve të mia. Kam pasur dëshirë ta paraqes njeriun e fortë që edhe në kohët kur ai është keq, atë di ta fsheh dhimbjen me veshje të bukura.

Gjithë kjo punë e ky sukses është i pamundur pa bashkëpunëtorë, e Diana për këtë pjesë kujdeset në mënyrë të veçantë.

“Ne tani jemi një ekip super i madh që bashkëpunojmë vazhdimisht e secili shpalos kreativitetin e dashnin për punën e tyre në mënyrën më të mirë. Por ato që i japin bukuri këtyre prezantimeve janë vajzat. Kësaj radhe kam pasur një llojllojshmëri të fytyrave duke filluar nga Maylinda Kosumovic, një super aktore e gjitha modelet e tjera të cilat i falënderoj tej mase”.

Kur puna vlerësohet gjithçka kthehet në motiv për të vazhduar edhe më tutje.

“Nuk di ku ka më mirë se më qenë krenare me punën që e bën e aq më shumë kur të vlerësohet kaq shumë nga njerëzit. Sigurisht që kjo më bën të kem vullnet për të punuar më shumë e të sjell gjithmonë gjëra të bukura”.

Për Dianën këto tashmë janë kthyer në frymëzim për koleksionin e ardhshëm, të cilin do ta sjell pas një kohë duke i lënë hapësirë që ta zbërthejë në mënyrën më të mirë.