DËSHPËRIM

Poezi nga: Oscar Wilde
Përktheu: Maksim Rakipaj

Rrënim na lenë stinët pasi shkojnë,
Narcizi herët në pranverë çfaqet,
Pa u skuqur trëndafili nuk thahet
Dhe vjeshtës manushaqet lulëzojnë

Edhe dëborën shpon shafran i brishtë
Dhe pemët nxjerrin gjethet përsëri,
Verës shiu harlis barin e ri
Dhe lopë, dele dhe kostarët grish.

Po ajo jetë që det i tërbuar
E ka rrënuar dhe natë e nxirë
Varros ditët që një nga një vdesin?

Dëshira, ndjenja, mendime që ndezin
Humbim shpejt dhe gjejmë kënaqësinë
Në lëvozhga kujtese të mbaruar.