Dedikimit ‘Më i bukuri varr’ i realizohet klipi (VIDEO)

Ëndrra që e kishte parë pasi që i kishte vdekur nëna, kishte inspiruar autorin Imer Raçi, të shkruaj poezinë “Më i bukuri varr”, poezi të cilën sot e prezantoi edhe nëpërmjet videos. Ai ka thënë për KultPlus se arsyeja pse vendosi që këtë poezi ta sjell me video, ishte me qëllim që edhe të tjerët të shohin atë se çfarë kishte parë në ëndërr.

Një poezi që lind nga një ëndërr, e ajo poezi i kushtohet njeriut më të dashur tek të gjithë njerëzit, e që padyshim është nëna. Nëna e ndjerë e autorit Imer Raci, ishte inspirimi i tij, jo vetëm për promovimin e librit “Më i bukuri varr”, por edhe poezinë që ka të njëjtin titull me librin, ta promovojë në tjetër formë, që nuk është parë deri tashti në vend.

“Poezia i është kushtuar personit më të rëndësishëm në jetë, pra nënës sime”, u shpreh.

Në një ambient i rrethuar me shumë familjarë, autori Imer Raçi e bëri prezantimin e kësaj poezie, ku ishte një video diku rreth një minutë e disa sekonda e shoqëruar me vargjet e poezisë “Më i bukuri varr”. Imeri përveç që ishte autor i vargjeve, ai kësaj here ishte përkujdesur që kjo video të ketë një regjisor, e që ishte vet ai, pasi që, në këtë video tregohej ëndrra e Imerit, por që luhej nga një vajzë e vogël e quajtur Elonisa Quka dhe nga Vesë Krasniqi që kishte rolin e nënës.

“Inspirimi erdhi prej një ëndrre që e kam parë dhe kam dashur ta shkruaj një poezi, mirëpo aty e kam parë që poezinë njerëzit munden vetëm ta lexojnë, por unë kam dashur që ata të shohin edhe atë që unë e kam parë, dhe kështu vendosa që atë që e kam përjetuar ta paraqes gjatë kësaj videoje. Unë deri më tani skam parë asnjëherë ndonjë poezi të përcjellë me video, pra është hera e parë që e bëjë, dhe që shihet në Kosovë”, u shpreh autori Raçi.

Krejt për fund, këtë poezinë e duartrokitën fort të pranishmit, të cilët poashtu e mirëpritën duke i uruar shumë suksese. Në këtë promovim, që çdo gjë të dukej ashtu siç autori e kishte parë në ëndërr, u dhuruan edhe disa tulipanë të bardhë për të gjitha femrat e pranishme./kultplus/

https://www.youtube.com/watch?v=bpeJR6N5Ip0