Ceremonia për “Oscar” nuk do të ketë prezantues as këtë vit

Ceremonia për “Oscar 2020” në shkurt nuk do të ketë përsëri prezantues, tha udhëheqësja e ABC Television Entertainment.

“Më lejoni ta konfirmoj tani. Së bashku me Akademinë Filmike kemi vendosur që përsëri të mos ketë prezantues tradicional sivjet”, tha Karey Burke, presidente e ABC Entertainment, para gazetarëve televizivë.

Ceremonia e “Oscarit” në vitin 2019 ishte e para në 30 vjet që nuk pati prezantues, ndërsa audienca e saj në transmetuesin ABC ishte 29.6 milionë amerikanë, duke e thyer një trend katërvjeçar të rënies së shikueshmërisë për ceremoninë e drejtpërdrejtë.

Image

Burke tha se vendimi për të mos pasur prezantues për ngjarjen e 9 shkurtit, shpërblimet më prestigjioze në biznesin e filmit, u nxit nga rishikimet e mira vitin e kaluar, kur rok-bendi “Queen” e hapi shown me një performancë live për ta festuar suksesin e muzikorit “Bohemian Rapsody” në arkat kinematografike, shkruan KOHA Ditore.

Burke tha që organizatorët planifikojnë ta “përsërisin atë që funksionoi vitin e kaluar – vlerat e mëdha argëtuese, numra të mëdhenj muzikorë, shumë komedi”.

“Shumë elemente të mrekullueshme janë hartuar tashmë dhe na kanë bindur se do ta kemi një show tepër argëtues”, shtoi ajo, pa dhënë detaje.

Nominimet për “Oscar” për vitin 2020 do të shpallen të hënën.

Gjetja e prezantuesit për shown e madh të çmimeve është bërë gjithnjë e më e vështirë vitet e fundit. Komediani Kevin Hart u tërhoq nga kjo detyrë për ceremoninë e vitit 2019 pasi u turpërua në mediat sociale për komentet homofobike që ai i kishte bërë në të kaluarën. Ai kërkoi falje.

Komedianë të tjerë, përfshirë Ricky Gervais në “Golden Globesin” e së dielës, kanë hasur në kritika për faktin se kanë qenë ose shumë të ashpër, shumë politikë, ose shumë të butë në shakatë e tyre.