“Çdo gjë është festë për dehje”

Tashmë ka dal në treg novela “Çdo gjë është festë për dehje” e gazetarit Artan Mustafa. Kjo është novela e parë e autorit, i cili sjellë një dorëshkrim interesant nga përvoja, zhvillimet, por dhe informacionet e tij personale. Libër që flet për kontaktin e kosovarëve në relacion me Evropën, realitetin e sotëm, por dhe atë se si do të jetë kosovari në dekadat e ardhshme në kontinentin evropian.  Por se si erdhi ideja për të shkruar këtë novelë Mustafa rrëfej në emisionin “Mëngjesi në Tribunë” në Tribuna Channel.

“Në vitet e fundit kam udhëtuar shumë Evropë, por dhe në Amerikë. Gjurmët e para të kësaj novele vijnë nga qëndrimi 6 mujor në periudhën e viteve 2010-2011 kur isha në Japoni. Në këtë kohë e kam shkruar një kolumne në kohën e tërmetit që u bë dhe ndër të tjera në at shkrim them se duhet me ardh në Azi për tu konfirmuar si evropian dhe aty kam menduar seriozisht për kontaktin tonë me Evropën” ka thënë Mustafa.

Ndërsa shkronjat e para të novelës, Mustafa tregoj se i zbrazi në Vjenë të Austrisë. I pyetur për titullin, ai tha se ka pasur dilema të shumta, se për cilin titull të vendoste, pasi që ka pasur disa ide.

“Titulli i fundit është praktikë e shpeshtë në letërsi. Ka momente të caktuara brenda shkrimit, kjo ka tingëlluar që po i përshtatet më shumë atmosferës dhe është diçka më poetike. Ndoshta dhe se edhe ftesa për dehje ka dy kuptimësi” u shpreh autori.

Novela “Çdo gjë është festë për dehje” është botuar nga Shtëpia Botuese “Rozafa” me redaktore Arlinda Deskun e recensent Artan Muhaxhiri./Gazeta Tribuna/