Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe ajo Strasburgut me marrëveshje partneriteti

Në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare në Strasburgut, në shoqërimin e Ambasadores së Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Strasburg, Mimoza Ahmetaj, është nënshkruar Marrëveshja e partneritetit midis Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Strasburgut.

Marrëveshja është nënshkruar nga Alan Colas, drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare në Strasburg dhe Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, të dyja institucionet bibliotekare pajtohen se do të bashkëpunojnë me një interes të përbashkët për zhvillimin e një partneriteti të bazuar në bashkëpunimin shkencor, profesional, në fushën e digjitalizimit dhe të veprimtarive kulturore.

Kjo marrëveshje është hartuar me qëllim të konsolidimit, mbi baza kohore afatgjate të këtij vullneti për bashkëpunim. Sipas kësaj marrëveshjeje, gjithashtu, parashihet promovimi i veprimtarive të përbashkëta bibliografike, ekspozitave e botimeve.