Behar Gjoka me hetim metakritik mbi poetikën e Fishtës

Studimi ‘Metakritikë për Fishtën’ i autorit Flamur Maloku, ka vënë në qendër të trajtimit, veprat studimore të Bajram Kosumit, njërit prej studiuesve me vlerë të letërsisë shqipe bashkëkohore, sidomos në fytyrëzimin e vlerave letrare të Gjergj Fishtës.

Në këtë qasje, të tipologjisë së metakritikës, pra të analizës së kritike për studimet e Kosumit, Maloku është ndalur gjerësisht te veprat studimore të Kosumit për Fishtën. Pra, librat e Kosumit, ata të cilat Maloku i ka marrë për shqyrtim, në tipet dhe kahjet e tyre, përcjellin njohurinë e tij teorike e praktike të studimit, këmbënguljes së paepur studimore, zotërimit dhe zbatimit të metodave studimore bashkëkohore, që me këtë qasje serioze, nxjerr në dritë mendimin e Kosumit për Fishtën e vërtetë, në të gjitha përmasat formësuese.

Po kaq përkujdesje, verifikimi ka treguar edhe në vlerësimin dhe analizën e Malokut, të cilat mendime përfaqësojnë një faqe tjetër që duhet hetuar në të gjithë përmasën e vetë e mbi të gjitha vlerësinë e Fishtës në e letrat shqipe. Në zbërthimin e vlerave studimore të Kosumit, autori i librit, kë vënë në fokus dy anët më thelbësore të studimit të Kosumit për Fishtën: rolin e Fishtës në letërsinë shqipe dhe mendimet e studiuesve për Fishtën.

Për të arritur pastaj në disa përfundime të punës së bërë me përgjegjësi dhe aparat shkencor, që të ofrojnë optikën e studimit dhe të shenjimit të tipareve më thelbësore të poezisë së Fishtës, ku edhe shkëlqeu më së shumti Fishta.

Nga ana e Malokut janë shfrytëzuar dhe mishëruar në këtë trajtim, dy elementë kryesorë, së pari leximet e studimeve të mëhershme, që kanë sjellë në vëmendje shqyrtimin e poezisë së Fishtës, dhe e dyta, ballafaqimi i mendimeve nga studiuesit e tjerë, gjë ka mundësuar fytyrëzimin e poetit dhe të rrafsheve studimore mbi të. Maloku gjatë studimit, në mes të tjerash, konkludon se:

“Hetimi dhe përfundimet e Kosumit, në shtjellimin e pasurisë poetike, tashmë të lirikës së autorit, janë mbi këto dy libra që përbëjnë edhe pasurinë më kryesore të Fishtës në lëmin e lirikës. Nga ana tjetër, përtheksimi se dy librat me poezi janë objekt studimi, pra jo si një lexim rastësor, por një punim studimor, që kërkon të nxjerrë në dritë vatra të tjera të ligjërimit poetik të lirikës së Fishtës, është treguesi më i qartë se optika verifikuese dhe studimore e Kosumit hedh vështrimin mbi tërësinë e problematikës së personalitetit krijues të Fishtës, të poetikës lirike të tij.”.