“Audienca” më 10 tetor prezantohet me premierë në TKK

Kjo shfaqje me tekst të Vaclav Havel e me regjisorët: Afrim Kasapolli e Alfred Trebicka në kalendarin e TKK-së prezantohet si shfaqje mysafire, por jo këtë emërtim e pranon Kasapolli, i cili në këtë shfaqje është edhe në cilësinë e aktorit bashkë me Trebickën. Ai ka thënë për KultPlus se nuk mund të vlerësohet si shfaqje mysafire në këtë institucion ku ka luajtur për 45 vite dhe që e konsideron si shtëpinë e tij

Sarandë Selimi

“Audienca” një ngjarje që zhvillohet në mesin e viteve të 70-ta, vendi i ngjarjes është një punishte birre periferike, një vend që përdoret zakonisht nga sistemi për të kryer punë të rëndë nga të ashtuquajturit disidentët. Kjo vepër e shkrimtarit të madh Vaclav Havel ka dy karaktere të cilët lëvizin në të, siç është Sladek që është pronari i kësaj ndërmarrjeje, njëherësh edhe punëtor i devotshëm i partisë, dhe Vanek që është një shkrimtar disident të cilin e kanë dënuar me këtë punën e rëndë. Ky është thelbi i kësaj vepre e cila me 10 tetor pritet të inskenohet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku kjo shfaqje në kastën e aktorëve ka dy aktorë që janë Afrim Kasapolli dhe Alfred Trebicka, e po ashtu e veçanta e saj është se të dy këta aktorë janë edhe vetë regjisorët e kësaj shfaqje e cila është mbështetur nga ministri i MKRS-ës Kujtim Shala.

Të dy aktorët shpalosën përmbajtjen e kësaj shfaqje, ku sipas tyre pritet të ketë një jetë të gjatë nëpër skena të ndryshme. “Vepra është në kohë reale që do të thotë vepra skenike është e barasvlefshme me kohën reale, sepse karakteret takohen dhe aty zhvillohet gjithçka dhe kjo është e barasvlefshme. Ajo kohë prej 60 apo 70 minutave, në të cilën zhvillohet vepra, është e barabartë me kohën reale fizike që mund të ndodhë një kontakt i tillë”, filloi kështu aktori Alfred Trebicka, i cili tregoi se për kostumet dhe për kurimin skenik kanë bashkëpunuar me Merita Jahën.
Mesazhet që i përcjell Haveli me këtë vepër kanë të bëjnë me një panoramë të atij sistemi të asaj kohe, pra se si shpërfytyrohet qenia njerëzore qoftë të persekutuari, qoftë ata që kanë pushtetin…

Ndërsa aktori Afrim Kasapolli tregoi se çfarë i ka shtyrë për ta zgjedhur pikërisht këtë autor dhe këtë tekst ku siç tha ai është tekst shumë intrigues. “Ky është një tekst që jep mundësi shumë të mëdha kreative dhe aktoreske , dhe në me përvojën tonë shumë vjeçare ku unë jam pensionist dhe Alfredi është aktor me një karrierë më shumë se 30 vite vendosëm që ta bëjmë këtë shfaqje”, theksoi Kasapolli i cili vazhdoi të tregoj se kjo shfaqje nuk mund të quhet shfaqje mysafire në Teatrin Kombëtar të Kosovës. “Unë kam punuar 45 vite në teatër dhe nuk mund të quhem mysafir në shtëpinë time, fillimisht ka qenë një variant që kjo shfaqje të vihet në repertor, por për arsye që mua më së paku më interesojnë është larguar nga repertori dhe ne kemi gjetur një mirëkuptim tek ministri Shala”, u shpreh më tej ai.

Kjo shfaqje nga ministri i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit është mbështetur me shumën prej 7000 euro, ku aktorët u shprehen falënderues ndaj ministrit për këtë mbështetje simbolike. “Kanë qenë dy variante, varianti i parë ka qenë shumë tragjikomik, kurse variantin e dytë na ka shpëtuar për të mos u fundosur, ku ministri na i ka ndarë 7000 euro”, ka thënë ai, duke shtuar se shfaqje të tilla në TKK marrin buxhet prej 22 mijë eurove e më shumë. “Pa marrë parasysh ne i jemi mirënjohës ministrit që i ka lejuar këto mjete, ne shpresojmë që pas premierës shfaqja do e marr jetën e vetë dhe do të dalim faqebardhë”, tha Afrim Kasapolli.

“Audienca”, sipas aktorëve ka qenë e paraparë të jepet me 25 shtator, por ambienti i sallës së vogël në TKK nuk ka qenë i përgatitur, pasi që aty është duke u rregulluar dyshemeja për karriget e reja që do të vendosen, andaj kjo shfaqje premierën do ta ketë me 10 tetor, duke vazhduar më pas me vetëm një reprizë me 11 tetor në TKK.