Artistët për sallën e rrënuar të Universitetit të Arteve në Tiranë: Punojmë në kushte primitive!

Bën ftohtë dhe ajri ndihet i rënduar. Karriget e vogla dhe hapësirat e ngushta mes njëra-tjetrës të bëjnë të ndihesh jokomod. Ngjyrat e ftohta të mureve e ngurtësojnë edhe më entuziastin.

Pianisti Zamir Kabo, siç e pati premtuar, është rikthyer në “shtëpinë e tij” i shoqëruar edhe nga dy artistë të huaj: Lena Neudauer në violinë dhe Leonard Roczek në violonçel. E gjitha “për të rritur nivelin e artit në vendin e tij”.
Jemi pak para koncertit, kur një shtanget e përmasave të mëdha rrëzohet, duke krijuar ankth jo vetëm tek artistët para performimit, por dhe tek publiku i pranishëm.

Është kjo atmosfera që shoqëroi çeljen e sezonit për Orkestrën Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar. Falë profesionalizmit, artistët i’a dolën të ngrohin atmosferën me artin e tyre muzikor. Por, a duhet anashkaluar ky incident, në një situatë ku në Sallën e Madhe të Universitetit të Arteve “edhe pulti i komandimit apo dimerat e ndriçimit janë të amortizuar”?

Incidenti që nga punonjësit e sallës u konsiderua si gabim njerëzor, shërbeu si një kambanë alarmi, që vë në dukje, ashtu siç ata theksojnë, se Qeveria duhet të ndërhyjë duke vënë dorë në mënyrë urgjente në këtë sallë.

Artistët rrëfejnë për mungesën e buxhetit për përmirësimin e kushteve, pavarësisht kërkesave të tyre të shumta që nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje.

“Shekulli” ka kontaktuar rektorin e Universitetit të Arteve njëherësh edhe artistin Kastriot Çaushi, si dhe pedagogët dhe artistët Merita Rexha Tërshana dhe Genc Fuga, të cilët përpos gjendjes aktuale të sallës rrëfejnë se problemin për restaurimin e sallës e kanë shtruar një ditë para incidentit me ministren e re të Kulturës, Elva Margariti.

“Zonja ministre m’u përgjigj se ky nuk është një problem që i takon studentëve”, shprehet pianistja Merita Rexha, një nga artistet e para që ka ngritur zërin rreth gjendjes së rënduar të sallës.
Mirëpo, siç pedagogët dhe vetë punonjësit e sallës pohojnë, pikërisht në këto ambiente studentët japin jo vetëm provimet për diplomat, por edhe shfaqje e koncerte të ndryshme.