Arsyet pse Drejtori Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës duhet të japë dorëheqje

Armend Smajli

• Udhëheqësi Artistik aktual është plagjiator! Ai, përmes një vendimi të dërguar nga Ministra e Kulturës është njoftuar se shfaqja, nën regjinë e tij ndalohet për reprizim, pas konstatimit se është plagjiaturë. Udhëheqësi Artistik nuk është i pastër moralisht dhe ligjërisht!

• Udhëheqësi Artistik përveç një dite të vitit kur miratohen tekstet, nuk brengoset më për rrugëtimin, motivimin, nevojat e sfidat e ndryshme artistike që lindin gjatë procesit të krijimtarisë. Pos kësaj, ai nuk udhëheq mirëmbajtjen kreative të shfaqjeve dhe repertorit!

• Udhëheqësi Artistik i TKK-së në vazhdimësi përqesh dhe përbuz shumë prej teksteve dhe shfaqjeve që inskenohen, me pretekstin se nuk i ka përzgjedhur ai. Si duket ende pa e kuptuar që pikërisht kjo është përgjegjësia e tij kryesore! Kjo i bie që ky drejtor bën favore e kompromise. Pra, është i komprometuar!

• Udhëheqësi Artistik i TKK-së, gjatë mandatit të tij, deri më tani asnjëherë nuk ka marrë masa dhe përgjegjësi kur shumë repriza të shfaqjeve të caktuara devijojnë nga autorësia e regjisorëve. Udhëheqësi Artistik nuk kryen detyrat e tij! Pra, është i papërgjegjshëm!

• Udhëheqësi Artistik i TKK-së gjatë mandatit të tij nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për të respektuar, qoftë dhe një artist, me rastin e pensionimit. Ai nuk ka nderuar përmes asnjë forme asnjë artist të teatrit që ka ndërruar jetë. Ai nuk respekton njerëzit që ishin dhe janë trashëgimi e këtij institucioni që nga themelimi i tij! Pra, nuk është artist dhe është mosmirënjohës!

• Udhëheqësi Artistik i TKK-së u shmanget gjithherë paraqitjeve publike. Asnjëherë nuk flet publikisht për politikat artistike të teatrit apo arsyet e përzgjedhjeve të teksteve respektive!

• Udhëheqësi Artistik i TKK-së ka kallëzim penal në Policinë e Kosovës, sepse gjatë kësaj periudhe sa është drejtor ai ka sulmuar fizikisht/rrahur një aktor brenda objektit të Teatrit. Ky aktor prej asaj dite nuk e ushtron aktivitetin e tij në Teatër. Pra, udhëheqësi Artistik është bërë i dhunshëm dhe ka shkelur ligjin!

•Mungesa e ambicieve, vizionit, kreativitetit dhe mos përmbushja e përgjegjësive artistike qe i takojnë, kanë bërë që drejtori artistik aktual të mos gëzojë as më të voglin autoritet e kredibilitet për detyrën qe mban!

Drejtorin artistik aktual e pritëm mjaft, disa vite. Por ja ku jemi, në situatën ku nuk mund ta mbyllim njërin sy sepse asnjë nga këto veprime nuk mund të mbrohen e as të demantohen!

Prandaj, duke iu shmangur çdo gjykimi personal, unë i kërkoj publikisht drejtorit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agon Myftarit, të bëjë një gjë të ndershme: të ofrojë dorëheqjen e tij! Në të kundërtën, Këshilli Drejtues i TKK ka obligim ta shkarkojë para përfundimit të mandatit të tij, sepse mos shkarkimi dhe mos penalizimi i këtyre veprimeve do të krijojë precedent për të gjithë ata/ato qe do të vijnë në këtë pozitë shumë të rëndësishme për skenën tonë kulturore!

Kjo pozitë artistike duhet të udhëhiqet fillimisht nga një individ i pastër ligjërisht, e pastaj nga një individ që është serioz, kredibil, ambicioz, i përgjegjshëm, artist, intelektual dhe me dinjitet!