Anulohet koncerti i “Gjurmëve” më 17 shkurt

Koncerti i paralajmëruar për 8 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2016, nga rok-bendi “Gjurmët”, është anuluar për t’u shtyrë për një datë të pacaktuar.

Njoftimi vjen nga vetë bendi “Gjurmët” të cilët, përmes faqes së tyre në Facebook, kanë njoftuar se për shkak të kohës së shkurtër, nuk do të mund ta realizojnë koncertin në fjalë dhe i njëjti planifikohet të mbahet diku kah pranvera.

Sipas bendit, kompleksiteti i koncertit dhe koha e shkurtër deri në ditën e pavarësisë nuk premton standardet dhe kualitetin e aspiruar nga ta, prandaj edhe kanë vendosur që ta shtyjnë për në pranverë.

Kujtojmë se rok-grupi i famshëm, më 29 dhjetor kishte prezantuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë të mbushur plotë, koncertin “Gjurmët and friends”.

Grupi, bashkë me Genc Salihun, Shpat Dedën, Elina Dunin, Orkestrën Simfonike të RTSH-së e muzikantë të tjerë, sollën sërish hitet e tyre “Mendoja çdo gjë merr fund pa ty”, “Era”, “Heroi i qytetit pa lumë” etj, që i kanë rezistuar kohës e që këndohen në variante të ndryshme edhe sot.

“Gjurmët”, që ndërtuan karrierën në Kosovën e paraluftës, u ngjitën sërish në skenë pas 30 vjetësh pauzë.

Me këtë koncert u tha se u përmbyll edhe viti i dytë i bashkëpunimit në fushën e kulturës mes Shqipërisë dhe Kosovës, në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor. /GazetaTribuna/