Recenzion: Bernard Crick: George Orwell – A Life (George Orwell – Një Jetë); Botoi: Penguin Books, London 1992.

Nga shumica e kritikëve letrarë kjo biografi e George Orwell-it, e shkruar nga Bernard Cirick, konsiderohet ndër më të kompletuarat dhe më të mirat. Jeta e Orwell-it, e paraqitur që nga fëmijëria e hershme e deri te vdekja, shtrihet në XVII kapituj që shpalosen në 675 faqe.

Goerge Orwell (emri i vërtetë Eric Blair) ka lindur në Indi në vitin 1903, ku babai i tij ishte shërbyes civil në administratën e Perandorisë Britanike. Pas një viti ai u soll për t’u rritur dhe arsimuar në Angli. Pasi që e kreu shkollimin në “Eton College”, duhet theksuar se ishte i pajisur me shkollim të cilësisë sipëror. Për shkak të mungesës së parave nuk pati mundësi t’i vazhdonte studimet universitare. Pas kryerjes së kolegjit shkoi në Birmani, ku u punësua në Policinë Imperiale të Indisë.

Pas disa vitesh u kthye sërish në Angli, pastaj shkoi në Spanjë, së bashku me Eileen, gruan e tij të parë, për të marrë pjesë në luftën civile në anën e republikanëve antifrankoist. Me 20 maj 1937 u plagos në qafë, një ngjarje që e shpjegoi në esenë “Wounded by a Fascist Sniper” (I plagosur nga një snajperist fashist) dhe në novelën “Homage to Catalonia” (Homazh Katalonisë). Pas kësaj ngjarjeje kthehet në Angli, në atë kohë me ndryshim të madh në pikëpamjet e tija politike, por edhe në intensifikimin e krijimtarisë letrare.

Sa i përket veprimtarisë së tij, nga kjo biografi marrim vesh se shkrimtari dhe gazetari anglez, George Orwell, ka shkruar nëntë libra, dy përmbledhje me ese të shkurtra dhe disa qindra recensione, letra dhe shkrime të tjera që përbëjnë artikuj të gazetarisë. Në disa raste janë publikuar të gjitha veprat e tij, që përfshijnë 20 vëllime. Për një shkrimtar gjigant dhe gjenial si Orwell-i, i cili e vulosi letërsinë me stilin e tij, mund të thuhet se ky numër i veprave nuk është i vogël as nga kuantiteti.

Arsyeja që sot nuk kemi më shumë vepra të tij, është jeta e shkurtër dhe sëmundja nga e cila ai vuajti një kohë të gjatë. George Orwell-i jetoi vetëm 46 vjet. Por, jeta që ka bërë ai deri në piedestal ka qenë e vështirë. Deri vonë varfëria i rrinte mbi qafë, gjë që i shkaktoi edhe shëndet të ligë, nga i cili vdiq relativisht i ri. Për të mbijetuar iu desh të shkruante në shumë gazeta dhe, madje, të argumentonte për të njëjtën dukuri nga pozita të ndryshme. Sasi të madhe të kohës i mori edhe pasioni që kishte për jetën në fshat, kopshtarinë, kujdesin për kafshët shtëpiake, peshkimin dhe zdrukthëtarinë.

Bernard Crick në këtë libër biografik e njofton lexuesin me të arriturat dhe karakterin e Orwell-it si njeri dhe si shkrimtar. Ai e sheh Orwell-in si një njeri të madh, i cili ishte shumë i suksesshëm edhe pse pati jetë të shkurtër. Brenda kësaj kohe të shkurtër Orwell-i u ngrit nga një shkrimtar dhe gazetar i panjohur në një personalitet shumë të rëndësishëm në Angli, kurse pas vdekjes u bë edhe figurë qendrore në letërsinë botërore. Popullariteti i tij pas vdekjes ka qenë gjithmonë në rritje. Në këtë horizont kaq të madh të shtrirjes së tij, e tillë është edhe influenca që ushtroi në Angli dhe në botë. Influenca e tij, që ndodhi pas vdekjes, është shfaqur në domenin e politikës, në të cilën ai ka ndikuar me anë të zhvillimit të nocionit të lirisë dhe tolerancës si kategori dhe koncepte jo vetëm të kuptimit politik, por edhe të atij filozofik. Siç shihet në kapitullin XI të këtij libri, kjo e bëri Orwell-in shkrimtar politik.

Orwell-i ushtroi ndikim edhe nga fakti që ishte në gjendje të pranonte ose refuzonte ndonjë risi letrare ose artistike, që tentonte të hynte në rrjedhat kryesore të lëmenjve përkatës. Orwell-i ishte i pari që e kuptoi “Uliksin” e James Joyece-it dhe e çmoi lart këtë vepër dhe autorin irlandez. Kjo ndodhi atëherë kur gazetat angleze dhe “intelektualët” e këtij vendi “Uliksin” dhe Joyce-in i quanin fëlliqësirë. Ai e lavdëroi artin e Henry Miller-it, por e shau për shkak që ai shfaqte një cinizëm të qëllimshëm jopolitik. E përkrahu shpërblimin që iu dha Ezra Pound-it për vepër artistike, edhe pse e urrente publikisht si person, të cilin e quante fashist, kriminel lufte, etj. Pra, Orwell-i bëri me dije që personaliteti dhe vepra janë dy njësi, të cilat, për të, shkonin ndaras.

Në lidhje me përkatësinë kombëtare, ai e quante veten anglez dhe nuk dëshironte t’i thoshin se ishte britanik. Në këtë vepër, Bernard Crick-u thotë se Orwell-i në veprat e tij e ka paraqitur karakterin anglez. Këtë thënie të tij ai e bazon në dy studimet që i ka bërë Orwell-i, të cilat janë: “Lion and the Unicorn” (Luani dhe Njëbrirëshi) dhe “The English People” (Populli Anglez). Bernard Crick-u, si biograf me renome i Orwell-it, insiston që këto dy vepra janë ndër studimet më serioze në lidhje me karakterin kombëtar të anglezëve. Ai thotë se Orwell-i është superior ndaj mendimeve dhe veprave të Arthur Bryant-it dhe Winston Churchill-it, që kanë shkruar për këtë çështje.

Orwell-i ishte edhe mendimtar politik i llojit të vet. Crick-u vërteton se një gjë të tillë Orwell-i e ka paraqitur në veprën e tij “1984”, ku ai themelon një model për historianët e ekonomisë dhe për shkencëtarët shoqëror, duke i sfiduar këto dy lëmi për krahasim. Një gjë e këtillë paraqet një logjikë ironike dhe një vazhdimësi të brendshme me ‘Leviathan-in’ e Thomas Hobbes-it, e cila është kryevepra e filozofisë politike angleze.

Para se të shkonte në luftën e Spanjës, George Orwell-i e themeloi konceptin e totalitarianizmit duke i pasur parasysh politikat diktatoriale të Hitlerit dhe Stalinit. Më vonë, pas dy dekadave, për totalitarianizmin folën dhe shkruan edhe Hanna Arendt, Carl Friederich dhe Zbigniev Bzhezhinski, por nuk treguan kurrë nga ku e kishin marrë termin dhe domethënien e tij.

Ndikimi i tij në të gjitha format e të shkruarit ishte aq i madh sa që shpjegimet e situatave politike të komplikuara, të veçanta, të paimagjinueshme ose joreale, që bëhen nën regjinë e shtetit, morën emrin e tij – oruelliane. Një term i tillë gjeti përdorim edhe në rastin e Kosovës. Mund të na kujtohet që tendencën e Millosheviqit që të zhdukte identitetet individuale (ndoshta edhe kolektive) dhe zhdukjen fizike të shqiptarëve, zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, e quajti oruelliane.