Aktivitete të shumta për Ditën Ndërkombëtare të Librit

Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së në Prishtinë do të organizojë një seri aktivitetesh për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Librit, duke filluar nga 20 deri më 24 prill.

Të hënën do të bëhet hapja e ekspozitës me poezi të autorëve vendor dhe ndërkombëtarë, të kaligrafuara nga skulptori Besim Pllana, kurse artistë dhe poetë do të interpretojnë disa nga poezitë e ekspozuara.

Më 21 dhe 22 prill aktiviteti do të kalojë tek nxënësit e shkollave fillore, përmes një punëtorie për të shkruarit e tregimeve të shkurta, të cilat më pas do të publikohen në një libërth që do t’u shpërndahet fëmijëve me rastin e Ditës së Evropës.

Debatin midis librit fizik dhe atij elektronik do ta zhvillojnë të mërkurën personalitete të librit në Kosovë. Në diskutim do të marrin pjesë: Nazmi Rrahmani – shtëpia botuese “Faik Konica”, Abdullah Zeneli – shtëpia botuese “Buzuku”, Shkelzen Gashi – shtëpia botuese “Rrokullia” , Genc Salihu – libraria “Dit’ e Nat’”, Ervina Halili – poete dhe gjuhëtare, Ballsor Hoxha – shkrimtar dhe kolumnist, si dhe Gjergj Filipaj – gazetar dhe publicist.

Seria e aktiviteteve do të përmbyllet me një diskutim të titulluar “Diskutim – Përkthimet letrare si diplomaci kulturore”, ku do të marrin pjesë Elizabeth Gowing – shkrimtare dhe përkthyese nga Britania, Albatros Rexhaj – shkrimtar dhe studiues, Ndue Ukaj – shkrimtar dhe studiues, si dhe Ilire Zajmi – shkrimtare dhe studiuese.