AGNUS DEI, NOMINOHET SI FILMI MË I MIRË

Agnus Dei, nominohet si filmi më i mirë në Open World Toronto Film Festival.

Në një garë të ashpër prej më shumë se 6000 filmave konkurues nga më shumë se 90 vende të botës, filmi kosovar Agnus Dei me regji dhe skenar të Agim Sopit, është nominuar në mesin e tre filmave për Çmimin kryesor të Open World Toronto Film Festival. Dy filmat tjerë që do të jenë konkurent, janë filmi amerikan The Record Keeper i regjisorit Jason Satterlund dhe filmi nga India, Children of War i regjisorit Mrityunjay Devvrat.
Fituesit e edicionit 2015 do të shpallen nga një juri prestigjioze nëntë anëtarshe në mbyllje të festivalit më 16 tetor në teatrin legjendar Fox Theatre në Toronto.
Open World Toronto Film Festival, konsiderohet si njëri ndër festivalet më të rëndësishme dhe më glamuroze të Amerikës Veriore.
‘OWTFF është kompeticioni më mendjehapur dhe më mirëpritës në botë. Mbi të gjitha, nga vlerat e shumta veçojmë ndershmërinë, besimin, integritetin, diversitetin dhe punën ekipore. Përmes këtij aranzhimi të përbashkët në ndarjen e vlerave, ne pasurojmë fuqinë e ideve tuaja dhe përçojmë përkushtimin tonë drejt rritjes së suksesit.’ – shkruhet në parimet e festivalit.