Adem Beha, promovon librin e ri “SHËNIME MBI SHTETNDËRTIM”

Fakulteti Filozofik ditën e mërkurë hapi dyert për të diskutuar për librin më të ri të profesorit të shkencave politike, Adem Beha. Pavarësia, paqartësia dhe qeverisja në Kosovë janë nëntitujt që e përbëjnë boshtin e librit dhe zbërthehen si dukuri në librin e autorit.

Në mesin e shumë studiuesve, të profesorëve dhe të studentëve libri më i ri që u promovua “Shënime mbi shtetndërtimin”, u vlerësua lart edhe nga studiuesit.

Dorajet Imeri në fjalën e hapjes konsideroi se libri i autorit Beha është një ndër librat e radhës të profesorit, i cili është i shkruar në kohë reale me procesin e shtetndërtimit të Kosovës. E sipas tij në librin më të ri janë përshtypjet, analizat, por edhe gjetjet e autorit të cilat faktikisht po gjejnë zbatim në realitetin e ditës së sotme.

Recensenti Bekim Baliqi në fjalën e tij falënderoi kolegun Beha që i ka mbledhur për një libër kaq të shkëlqyeshëm, i cili është përmbledhje e shkrimeve të ndara në vargun kohor disavjeçar dhe mbulon çështje të ndryshme, por të ndërlidhura dhe me preokupimin kyç rreth Kosovës. “Shkrimet janë të karakterit publicistik, me kritikë argumentuese shfaqen si një lloj diagrami i zhvillimeve politiko-shoqërore në vend. Duke analizuar çështjet në fjalë në kontekstin politologjik, kolegu Beha shërbehet edhe me koncepte e qasje të ndryshme diturie nga fusha e shkencave sociale duke zbërthyer dukuritë, ngjarjet dhe problemet e shumta, të cilat shtjellohen në libër. Boshtin e librit e përbëjnë tre komponentë ose teza kyçe që përbëjnë edhe nëntitullin e librit si paqartësia, pavarësia dhe qeverisja. Këta nëntituj jo vetëm që përshkruajnë gjendjen aktuale, por edhe vazhdojnë të mbesin sfidat më esenciale të shtetit edhe sot”, vlerëson Baliqi.

Pa u ndalur te shkrimet veç e veç, Baliqi u ndal për të analizuar, gjegjësisht te pjesa e konsolidimit të shtetësisë, që përmban gjashtë shkrime e që shfaqen edhe si sfida thelbësore të konsolidimit të shtetit. “Duke filluar nga shkrimi, nga njohjet që po e pengojnë subjektivitetin kombëtar të Kosovës dhe që ka shënuar rënie të vazhdueshme si pasojë e keqqeverisjes dhe si pasojë e imazhit të keq, që i kanë përçuar në arenën ndërkombëtare qeverisjet e deritashme. Ndërkaq raporti i Dick Martyt në shkrim e ka dëmtuar më së rëndi imazhin e Kosovës dhe kjo ka ndikuar në procesin e njohjeve, respektivisht të mosnjohjeve”, tha politologu.

 

Theksin Baliqi e vuri edhe te tema tjetër që trajtohet me seriozitet të plotë nga ana e autorit e që është çështja e Gjykatës Speciale, ku nga Baliqi mësohet se autori shtron pyetjet se a duhet të kemi gjykatë speciale dhe a do të jetë ajo përnjëmend gjykatë e cila do të ndajë drejtësi. “Ademi përgjigjet në këtë si një përpjekje që të shmangen tonet folkloriste dhe tonet viktimizuese. Ai pohon se Gjykata Speciale na duhet për shkak se sistemi gjyqësor i Kosovës ka dështuar të ofrojë drejtësi për viktimat. Konstatimi i Behës se Kosova rrezikohet nga institucionet e veta ekstraaktive dhe grabitqare tingëllon sot si kambana e fundit për zgjimin nga fundosja përfundimtare e shtetit funksional, e konsolidimit dhe e zhvillimit demokratik”, tha në mes shumë analizave tjera Baliqi.

Image

Punën e Behës e vlerësoi lart edhe antropologu Arsim Canolli. Ai tha se po bëhet fjalë për një libër shumë të mirë. “Theksojmë, Adem Beha nuk është autor që po përmendet emri tij dhe po asocohet direkt me instanttekstshkruesin, mbi të gjitha ai është studiues i shkencave politike që ka dëshmuar kredibilitetin e tij shkencor, duke shkruar libra monografikë dhe ese specifike në revista të mirënjohura ndërkombëtare, vite me radhë”, ka vlerësuar Canolli.

Ai tutje tha se profesor Beha ka shkruar një monografi shteruese për partitë politike dhe për demokratizimin, tashmë e botuar dhe një monografi për shtetndërtimin në kohën e UNMIK-ut, e cila pritet të botohet së shpejti. “Ky kujdes i shtuar i autorit në librin e tij është më se i arsyeshëm, sepse lexuesit i ofrohet mendimi publicistik, politologjik i autorit gjatë një periudhe të caktuar kohore. Kjo tregon se autori mendon për lexuesin e tij, plus kësaj Adem Beha është ftuar nga një shtëpi botuese dhe ka pranuar t’i përgjigjet ftesës që t’i botojë shkrimet e tij gjatë një dekade. Puna e mendimtarit kritik që shkruan edhe publicistikë është t’i kullojë ose t’i reduktojë mendimet, a argumentet dhe teoritë e ndryshme”, u shpreh Canolli.

Ai po ashtu tha se shumica e shkrimeve këtu dalin si një ftesë frymëzuese për studime specifike tematike. “Ritheksoj edhe një herë se disa nga këto shënime janë indice për potencialin e një hullie të re në studimet politologjike te ne: atë ‘të antropologjisë politike’ dhe ‘sociologjisë politike’, ku objekt bëhet jeta shoqërore në raport me vendimmarrjen politike, sjellja dhe kultura e sjelljes së qeveritarëve, vendimmarrja në institucione politike, efektet e politikës në jetën e përditshme, fisnorja në marrëdhëniet politike, politizimi i sferës publike, rituali i jetës politike”, tha ai.

Për të pranishmit autori i librit dhe profesori i shkencave politike Adem Beha falënderoi panelistët për fjalët e përzemërta. “Nuk kam ndonjëfarë fjale të shkruar sot, por dua t’i falënderoj recensentët, filozofin kolegun tim nga Maqedonia, i cili nuk ka hezituar në botimin e këtij libri. Natyrisht autori nuk është sovran i tekstit të vet në momentin që botohet. As nuk e shpall ndonjëfarë republike të shkronjave, është detyra e autorit që të shkruajë. Natyrisht nuk ka kurrëfarë tiranie në përmbajtjen e atij libri”, tha Beha.

Ai ka vlerësuar se pavarësisht gjithçkaje tek e fundit ka shkruar për t’u kuptuar ose për të mos u kuptuar e për t’u vlerësuar dhe se është një përpjekje e tij modeste nxjerrja në shtyp e librit.