Serbia regjistron në UNESCO lahutën si trashëgimi të saj, reagon Shqipëria

UNESCO ka njoftuar se është regjistruar si pasuri botërore të kënduarit me gusle (lahutë).

Regjistrimi është bërë me kërkesë të Serbisë dhe ky është njoftimi në faqen zyrtare të UNESCO-së dhe lajmi është përcjellë me shqetësim në Shqipëri. Gusle, është emërtimi në gjuhët sllave të veglës muzikore të njohur në Shqipëri si lahuta.

Disa vite më parë pati një përpjekje mes Shqipërisë dhe Kosovës për ta regjistruar këtë vegël muzikore në UNESCO si pasuri të trashëgimisë kulturore. Por, kërkesa nuk u paraqit sepse Kosova u pengua të bëhej anëtare e UNESCOS.

Serbët në këtë drejtim u treguan më të shpejtë, raporton TCH.

Kjo vegël muzikore shumë e vjetër është e përhapur në të gjithë zonën e alpeve dinarike, që nga Sllovenia deri në Shqipëri, dhe me tej nga Rumania, Bullgaria, por edhe në Maqedoni, Kroaci, Bosnje dhe Malin e Zi. Kjo është lahuta shqiptare.

Por, këngë të ngjashme, i këndojnë edhe sllavët me veglën që e quajnë Gusle.

Në Serbi dhe Malin e Zi, rapsodët quhen Guslarë, ndërsa në Kroaci, atje ku me lahutë i këndohet heronjve, këtë instrument e përdornin hajdukët.

Malazezët gjithashtu e kanë pjesë të traditës folklorike. Por, vegla muzikore me të njëjtin emër përdoret edhe në Rusi e Çeki, por edhe nga arabët. Ndërsa rumunët kanë një emërtim të ngjashëm me shqipen, ata e quajnë Lauta.

Por, e kujt është kjo vegël muzikore që i ngjan Lirës Bizantine apo asaj arabe? Ministria e kulturës së Shqipërisë thotë se është në kontakt me ministrinë e Malit të Zi, për të zgjeruar pjesëmarrjen në këtë regjistrim edhe të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Evropës Juglindore. Një kërkesë e përbashkët e ambasadorëve të Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnjës është bërë për këtë arsye në UNESCO.

Ndërkohë muzikologët shqiptarë janë duke përgatitur dosjen për të regjistruar “eposin e kreshnikëve”. Deklarata në emër të të gjitha vendeve është paraqitur nga ambasadori i Shqipërisë në UNESCO, Ferit Hoxha.