4 legjenda në një vepër arti

Emrat e tyre i njeh e tërë bota.

Me talentin, punën dhe kontributin që i kanë dhënë kinematografisë botërore ata kanë mbetur legjenda të këtij arti.

I kemi parë në filma veç e veç, por që të gjithë bashkë në një projekt, asnjëherë.

Regjisorit Martin Scorsese, aktorët Robert De Niro, Al Pacino e Joe Pesci do t’ua sjellin adhuruesve të filmit një projekt të përbashkët, transmeton Klan Kosova.

Scorsese, De Niro dhe Pesci kishin bashkëpunuar për filmin GoodFellas, i cilësuar si filmi me gangsterë më i miri i realizuar ndonjëherë. Edhe De Niro e Pacino kanë luajtur përkrah njëri tjetrit në filmin Heat.

Duket se filmi i radhës i regjisorit Scorsese i zhanrit “dramë kriminale” – ajo që ky regjisor di ta bëjë më së miri – do të bëjë historinë në industrinë filmime.

Lajmin se ai do të bashkohet me kolegët e tij më të shquar në një film, e ka bërë të ditur Robert de Niro në një intervistë për Digital Spy e ka treguar se filmi do të quhet  “I heard you paint Houses”.

“Ne do ta bëjmë. Do të fillojmë diku gjatë vitit të ardhshëm. Dalëngadalë do ta kompletojmë”, ka thënë De Niro gjatë një interviste ku ka folur për filmin e tij më të ri ku luan me aktoren Anne Hathaway, The Intern.

Filmi “I heard you paint houses” është i bazuar në romanin e Charles Brandt dhe vetë titulli është shumë figurativ.

I heard you paint houses në shqip do të thotë “Kam dëgjuar se i lyen shtëpitë”, të lyesh një shtëpi është të vrasësh një njeri, dhe ngjyra e simbolizon gjakun të spërkatur në mure dhe dysheme.