Kosnett: I tmerrshëm realiteti i krimeve në Meje, ata që i kryen krimet duhet të gjykohen

Ambasadori amerikan, Philip S. Kosnett, i cili mori pjesë në akademinë përkujtimore në Mejë tha se realiteti i krimeve në Mejë është aq i tmerrshëm.

“Askush mos të dyshojë sa e thellë apo e qëndrueshme është miqësia mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. Mbështetja e Amerikës ndaj qëllimit për paqe, drejtësi dhe mbarësi për Kosovën dhe fqinjët e Kosovës mbetet e qëndrueshme. Përkushtimi i Amerikës për të ardhmen e Kosovës paraqet një trashëgimi të thellë për ata qe vdiqën qe Kosova të jete e lirë”, tha ai, përcjell KP.

Kosnett tha se Kosova dhe vendet fqinje duhet të pranojnë të diskutojnë për të kaluar, duke nënkuptuar se për këtë Serbia të pranojë fajësinë për krimet e kryera para 20 vitesh, ndërsa edhe në Kosovë të gjykohen ata që dyshohen për krime.

“Per hir të gjeneratave që vijnë pas e nxis popullin e Kosovës dhe fqinjët tuaj të pranoni dhe të diskutoni drejtpërdrejtë për çastet e errëta të historisë suaj te përbashkët. Për disa kjo do të thotë pranim të realitetit të fushatës së spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Millosheviqit, që rezultoi me vrasjen dhe zhdukjen e mijëra personave dhe për t’u siguruar që përgjegjësit të japin llogari të plotë. Për popullin e Kosovës duhet të nënkuptojë që ju dhe demokracia juaj t’i përmbahet një parimi më të lartë dhe të sigurojë llogaridhënie për të gjithë ata individë që kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës, përkundër realitetit të hidhur se shumë fajtorë tjetërkund i janë shmangur drejtësisë deri tash”, tha Kosnett.

Sipas tij, duhet një përkushtim më i madh nga Kosova dhe Serbia për t’i gjetur dhe kthyer trupat e të pagjeturve, duke punuar në mirëbesim me bashkësinë ndërkombëtare për të bërë publike dhe për të vepruar në bazë të gjitha informatave në dispozicion.