Kërkohet presion ndërkombëtar për koalicionin qeverisës

Nga pamundësia që Vetëvendosje e LDK të arrijnë një marrëveshje për koalicionin qeverisës, njohësit e çështjeve politike thonë se presioni ndërkombëtarë është shumë i rëndësishëm në këtë situatë.

 

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës edhe pas tre takimeve rresht, nuk kanë arritur një marrëveshje për koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Analisti i çështjeve politike Ismail Tasholli thotë se presioni ndaj VV-së dhe LDK-së është  pozitiv, por që sipas tij duhet më shumë presion. Ai më tej tha se Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës, e kanë kapur shtetin.

“LVV dhe LDK sigurisht se kanë faj. Nuk e di sa e kanë të barabartë me numra “sasinë” e fajit por Vetëvendosje si parti e parë është dashur të ketë më shumë përgjegjësi. Mos të harrojmë se Vetëvendosje dhe LDK e kanë ndalë shtetin në pauzë e që në simbolikë i bie që e kanë kapur shtetin. Do të thotë “kapjen e shtetin” që ata e kanë pasur maksimë për të rrëzuar qeverinë e kanë kthyer në formë të veprimit të tyre duke e kapur vetë shtetin”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ismail Tasholli.

Përfaqësues të politikës ndërkombëtare kanë bërë presion të kohëpaskohshëm te Vetëvendosje e LDK për arritjen e një marrëveshje për krijimin e qeverisës, mirëpo këto dy parti nuk kanë arritur ujdi as tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve.