Hoti për vizit në SHBA: Përfaqësoj LDK-në, nuk jam pjesë e delegacionit të Veselit

Përfaqesues i  Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se sot do të udhëtojë në SHBA për të marrë pjesë në Forumin e Lidershipit Parlamentar që organizohet nga Kongresi.

Ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se në këtë vizitë e përfaqëson grupin paralamentar të LDK-së, dhe nuk është pjesë e delegacionit të Veselit ashtu siç është raportuar në media.

“Me ftesë të Kongresit, sot po udhëtoj për në ShBA. Jam i ftuar si anëtar i Kuvendit të Kosovës, pasi e udhëheq grupin kryesor opozitar, për të marrë pjesë në Forumin e Lidershipit Parlamentar që organizohet nga Kongresi. Forumi mbledh lideret e grupeve kryesore parlamentare të 16 vendeve, të cilët lider janë përgjegjës për: (i) funksionimin e legjislativit, (ii) marrëdheniet ndërpartiake brenda legjislativit, (iii) ndërlidhjen e legjislativit me ekzekutivin dhe (iv) relacionet e legjislativit me komunitetin ndërkombëtar.
Unë nuk jam pjesë e delegacionit të askujt, siç është raportuar mbrëmë në RTK. Në këtë Forum, unë e përfaqësojë Grupin Parlamentar të LDK-së që është grupi përcaktues i zhvillimeve në Kuvend. E lus redaksinë e RTK-së ta përmirësojë këtë lajm. Nëse zyra e Kryetarit të Kuvendit e ka lëshuar një deklaratë të tillë, atëherë deklarata duhet të përmirësohet”, ka shkruar Hoti.