Haradinaj: Të pagjeturit, plagë e hapur e dhembje e vazhdueshme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se të pagjeturit janë plagë e hapur dhe dhembje e vazhdueshme prej 20 vitesh.

Pasi bëri homazhe te Obelisku i të Pagjeturve, së bashku me presidentin Hashim Thaçi, kryeministri Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka premtuar se institucionet e vendit nuk do të rreshtin së kërkuari të pagjeturit dhe drejtësi për viktimat e luftës.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Të pagjeturit janë plagë e hapur dhe dhembje e vazhdueshme për secilin nga ne, tash e njëzet vjet. Institucionet e vendit nuk do të rreshtin së kërkuari të pagjeturit dhe drejtësi për viktimat e luftës. Plagët e konfliktit të fundit nuk mund të mbyllën dhe nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa ndriçimin e plotë të të vërtetës së luftës në Kosovë”, shkroi Haradinaj.