Zvicra me qëndrim për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi

“Ne e falënderojmë Zvicrën, në mënyrë të veçantë si vend që e ka mbështetur historikisht Kosovën. Ish Presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy Rey, ka bërë thirrje që herët, që Kosova të bëhet e pavarur dhe ajo e ka vendin në historinë moderne të Kosovës”, i tha Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, Zëvendëssekretares së shtetit të Zvicrës, Krystyna Marty Lang, në një takim, që zhvilloi sot në Prishtinë. 


Duke folur për bisedimet me Serbinë, ajo nënvizoi se Zvicra kundërshton çdo ide shkëmbimi territoresh në Ballkan, qëndrim që u mbështet nga ministri Pacolli, i cili tha se “ kjo ide do të sillte hapjen e kutisë së Pandorës në rajonin tonë’, shkruan Gazeta Metro.

Gjatë takimit me diplomaten e lartë zvicerane, në kuadër të konsultimeve politike mes dy vendeve, u diskutua bashkëpunimi dypalësh dhe për iniciativa të reja në intensifikim të këtij bashkëpunimi.

Ministri Pacolli e njohu bashkëbiseduesen dhe me zhvillimet e fundit në Kosovë në lidhje me Dhomat e Specializuara, Projektligjin për Demarkacionin, etj.

Diplomatja e lartë zvicerane, e shoqëruar nga Ambasadori i Konfederatës Helvetike në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, e uroi Ministrin Pacolli për dhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe i konfirmoi vullnetin e Zvicrës për të vijuar me ndihmën e fuqishme.