Publikohen statistikat afatshkurta të tregtisë me pakicë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat Afatshkurtra të Tregtisë me Pakicë” për periudhën tremujore (TM4) 2017.

Duke krahasuar këtë periudhe me të njëjtën periudhë të vitit 2016, janë disa lloje të tregtisë me pakicë të cilat kanë shënuar rritje.

Ndër to; tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, tregtia me pakicë e karburanteve për automjete, tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, etj.

“Në bazë të të dhënave të publikuara vërejmë se në tremujorin e katërt të vitit 2017, krahasuar me tremujorin paraprak (TM3 2017) ka pasur rritje te: Tregtia me pakicë e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, në dyqane të specializuara (8.9%); Tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuara (8.7%); Tregtia me pakicë e mallrave të tjerë, në dyqane të specializuara (7.4%); Tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara (5.5%); Tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake, në dyqane të specializuara (4.0%); Tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuara (3.5%); Tregtia me pakicë, jo në dyqane, tezga ose tregje (0.8%); si dhe Tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, në dyqane të specializuara, nuk ka ndonjë ndryshim”, thuhet në njoftimin dërguar mediave nga kjo agjenci.

Po ashtu, në tremujorin e katërt të vitit 2017, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2016, kanë pasur rritje: Tregtia me pakicë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, në dyqane të specializuara (23.0%); Tregtia me pakicë, jo në dyqane, tezga ose tregje (22.5%); Tregtia me pakicë e karburantit për automjete, në dyqane të specializuara (8.8%); Tregtia me pakicë, në dyqane jo të specializuara (6.8%); Tregtia me pakicë e pajisjeve të tjera shtëpiake, në dyqane të specializuara (6.0%); dhe Tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, në dyqane të specializuara (4.2%).