Mishi i freskët duhet të jetë vetëm pesë ditë në treg (LIVE)

Mishi që vie nga importi nuk është i dedikuar për mish të freskët, pasi që mishi i freskët i ka pesë ditë nga data e therrjes. Pas kësaj date duhet të adresohet vetëm për riprodhim.

Kështu vlerëson Adil Spahiu, nga kompania “Malësia” Meat Industry duke shprehur shqetësimin se në Kosovës fatkeqësisht ai mish i servohet qytetarëve si mish i freskët, përkundër se mund të jetë edhe më i vjetër.

Ai beson se mishi belg nuk është një prej rasteve të vetme.

“Asnjëherë nuk kemi pranu të jemi kompani e importeve, ku nuk dihet se çfarë është bërë me atë mish,” është shprehur Spahiu në emisionin EuroTribuna në TribunaChannel.

“Malësia” Meat Industry është një ndër kompanitë e pakta që therrin dhe prodhojnë produkte me atë mish.

Spahiu thotë se Kosova ka kapacitet të mbulojë komplet tregun në territorin e Kosovës me mish të freskët.

EuroTribuna është duke diskutuar për cilësinë e mishit dhe skandalin e fundit për mishin 12 vjet të vjetëruar të importuar nga Belgjika.

Mishi që ishte eksportuar nga thertorja belge “Veviba” në Kosovë ndonjëherë ka qenë i vjetër 12 vjet, raportoi një ditë më parë “Het Laatste Nieuës”.

Sipas gazetës belge, dokumentet e gjykatës tregojnë se një kamion me mish nga “Veviba” në Bastogne ka arritur në Kosovë më 19 shtator, 2016. Shumica e etiketave ishin shqyer, por nga ato që ende ishin të dukshme, u pa se mishi ishte nga viti 2004./GazetaTribuna/