Lekaj vizitoi komunën e Vitisë, Gjilanit dhe atë të Kamenicës

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët, vizitoi sot komunën e
Vitisë, Gjilanit dhe atë të Kamenicës. Këto vizita u bënë në kuadër të bashkëpunimeve ndërmjet
qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, ku edhe u nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në
mbështetje të projekteve infrastrukturore për qytetet e lartëpërmendura.

Ministri Lekaj së pari vizitoi komunën e Vitisë, ku u prit nga udhëheqësi i kësaj komune, Sokol
Haliti, me të cilin diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së
Infrastrukturës dhe komunës së Vitisë, duke nënshkruar kështu memorandum bashkëpunimi.
Ministri Lekaj u zotua para udhëheqësve dhe qytetarëve të Vitisë, se kjo komunë do të marrë
mbështetjen e merituar sa i përket projekteve infrastrukturore dhe se Ministria e Infrastrukturës
do të jetë çdoherë në mbështetje të kësaj komune, njejtë sikurse për të gjitha komunat e tjera në
Kosovë.

Pas nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim, në prononcimin e mbajtur për media,
ministri Lekaj u shpreh:
“Ndihem i nderuar që sot bashkë me kryetarin, nënshkruam memorandum bashkëpunimi për
infrastrukturë rrugore, e cila ka impakt pozitiv për qytetarët, por edhe për zhvillimin ekonomik.
Ne si Ministri e Infrastrukturës dhe si Qeveri e Kosovës, do të jemi mbështetës të fuqishëm të të
gjitha komunave të Kosovës, e në veqanti të kësaj ane, sepse ne mendojmë që kjo anë meriton të
zhvillohet më shumë në infrastrukturë rrugore, por edhe në segmente tjera të cilat janë vitale për
qytetarët. Ne e kemi thënë edhe më herët, se pas marrjes së përgjegjësisë si Ministri e
Infrastrukturës, jemi zotuar se do të jemi mbështetës të fuqishëm të komunave dhe kryetarëve të
zgjedhur nga qytetarët pa dallime. Sot jemi këtu që t’i themi Vitisë se po vijnë ditë të mira për
këtë anë, jo pse nuk është investuar, por tani është koha dhe është domosdoshmëri që të
përfundohet e tërë infrastruktura.”

Ndërsa, kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti, duke e cilësuar këtë takim si të frytshëm, e
falënderoi Ministrin Lekaj për mbështetjen e dhënë dhe gatishmërinë për bashkëpunim.
“Vërtetë një takim shumë i frytshëm, nënshkruam edhe memorandum bashkëpunimi për shumë
projekte që do të zhvillohen në komunën e Vitisë, në sferën infrastrukturale. Projekte të cilat janë
në vijueshmëri, të cilat natyrisht, mininstri me mirëkuptimin e kabinetit të tij si dhe vet
personalisht, do të na ndihmojë që t’i përfundojmë dhe t’i mbulojmë deficitet që i kemi pasur në
këto projekte dhe t’i përfundojmë me rrugullaritet të plotë, në të mirën e qytetarëve të Vitisë.
Jemi prej komunave në rajon që kemi nevojë ende për investime në infrastukturë dhe ministri ka
treguar vullnet, bashkë me kabinetin, që të financojë edhe projekte të tjera”, tha kryetari Haliti.

Radhën e vizitave për marrëveshje bashkëpunimi, ministri Lekaj e vazhdoi në komunën e
Gjilanit. Aty u prit nga udhëheqësi i kësaj komune, Lutfi Haziri. Duke u njoftuar nga afër me
planet infrastrukturore që ka Gjilani, ministri Lekaj dhe kryetari Haziri, nënshkruan
memorandum bashkëpunimi.
Ministri Lekaj, duke qenë i gatshëm të ofroj mbështetje për nevojat që ka Gjilani në
infrastrukturë, tha se Ministria e Infrastrukturës do të jetë mbështetje e vazhdueshme e Gjilanit
dhe të gjithë qytetarëve të kësaj komune. Lekaj gjithashtu theksoi para mediave, rëndësinë e
ndërtimit të autostradës Prishtinë-Gjilan, për të cilën është nënshkruar edhe kontrata.
“ Dita e sotme është një lajm i mirë për qytetarët e Gjilanit dhe të Anamoravës në përgjithësi,
pasi ne po e fillojmë një rrugë që ka qenë domosdoshmëri e kahershme e kësaj ane, pra
autostrada, për të cilën është nënshkruar edhe kontrata. Kjo anë më nuk do të ketë probleme sa i
përket lëvizjes së lirë, koridoreve dhe lidhjeve të koridoreve. Këto rrugë do të kenë impakt
pozitiv në zhvillimin ekonomik të Gjilanit si dhe në lidhjen e zonave rurale me ato urbane, siç
është Përlepnica me kosto 520 mijë euro, Gërnicë 450 mijë euro, rrugicat në rrugën e Prishtinës
200 mijë euro si dhe rruga “Pajazit Ahmeti” 110 mijë euro, pra, vlera totale në këto projekte
lokale është 1 milion e 280 mijë euro. Poashtu, vazhdimi i projekteve që kanë qenë në procedurë
dhe janë duke u zhvilluar, si: Vërbicë e Zhegovcit 1 milion e 300 mijë euro, për të cilën vetë
kryetari e ka potencuar pasi që është rëndësi jetike, zgjerimi i qytetit në hyrje me kosto 1 milion
e 600 mijë euro dhe projekti i unazës së jashtme që mendojmë se do të zhvillohet”, deklaroi
ministri Lekaj.

Ndërsa kryetari Haziri, në fjalimin e tij drejtuar qytetarëve dhe mediave, tha se ky memorandum
bashkëpunimi është kulmi i programit për investime publike në Gjilan dhe Anamoravë. Kryetari
Haziri u shpreh:
“Nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit, sot e kulmon me programin e investimeve
publike në Gjilan dhe në Anamoravë, duke e nënvizuar projektin kryesor madhor, për të cilin
ministri e ka nënshkruar kontratën para disa ditëve. Pritet këto javë kur ministri të caktoj edhe
fillimin e punimeve të autostradës së Gjilanit, e cila e lidhë Gjilanin dhe Anamoravën me
koridorin e kombit. Investimet e përbashkëta në qytet, programi i investimeve të rrugëve në qytet
dhe zgjerimin e rrugëve, programi i përbashkët i investimeve në fshatrat e komunës së Gjilanit
dhe programi i BERZH-it, të udhëhequr nga ministri dhe Ministria e Infrastrukturës”.
Ministri Pal Lekaj, sot gjithashtu vizitoi edhe komunën e Kamenicës. I pritur nga udhëheqësi i
kësaj komune, Qëndron Kastrati, ministri Lekaj i ofroi kësaj komune përkrahjen e nevojshme
infrastrukturore. Në këtë vizitë u nënshkrua memorandum bashkëpunimi, pra, mbështetje që
Ministria e Infrastrukturës i ofron kësaj komune. Ministri Lekaj në fjalimin e tij thënë mediave,
theksoi se Ministria e Infrastrukturës ka një fizibilitet të qartë për infrastrukturë rrugore dhe jo
vetëm sa për të hedhur asfalt.
“Ne sot me z. Kastrati, nënshkruam memorandumin e mirëkuptimit për mbështetje financiare në
infrastrukturë rrugore. Ne u zotuam para kryetarit dhe para bashkëpunëtorëve, se ne do të jemi
mbështetës në infrastrukturën rrugore si Qeveri e Kosovës, e në këtë rast si Ministri e
Infrastrukturës dhe na bënë të ndihemi mirë që sado pak, mund të përmirësojmë kushtet në
infrastrukturë, e të cilat kanë ndikim pozitiv për qytetarët e Kamenicës. Vlenë të theksohet që
Ministria e Infrastrukturës ka një fizibilitet të qartë për infrastrukturë rrugore dhe jo vetëm sa për
të hudhur asfalt. Ne biseduam edhe me kryetarin e Kamenicës, që në të ardhmen të kenë
infrastrukturë rrugore edhe aty ku do të mund të zhvillohet turizmi”, deklaroi ministri Lekaj.

Ndërkaq, kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, e falënderoi ministrin Lekaj për vizitën e bërë
si dhe për mbështetjen e ofruar nga Ministria e Infrastrukturës, duke uruar që të ketë një
mbështetje edhe më të madhe.