“Konsumatori” ka qenë aktiv edhe para dy viteve (LIVE)

Selatin Kaçaniku nga Shoqata “Konsumatori” thotë se kanë qenë shumë aktiv para dy viteve kur ka ndodhur rasti.

“Atëherë e kemi dhënë fjalën tonë pro veprimit të AUV, sepse nuk është punë e vogël që ne si një shtet i vogël ta prandalojë një rrezik të mundshëm ndaj qytetarit të Kosovës,” është shprehur Kaçaniku në emisionin EuroTribuna në TribunaChannel.

Sipas tij, tek një rast i ndaluar ekziston koeficienti i rasteve të pandaluara.

“Ne e kemi AUV të aftë që të parandalojë edhe raste të tjera.”

Valdet Gjinovci,  Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës një ditë pas publikimit të skandalit për mishin ei vjetër 12 vjet, që  u eksportua nga Belgjika në Kosovë ka bërë thirrje që në të ardhmen të merren seriozisht thirrjet e AUV.

Mishi që ishte eksportuar nga thertorja belge “Veviba” në Kosovë ndonjëherë ka qenë i vjetër 12 vjet, raportoi një ditë më parë “Het Laatste Nieuës”.

Sipas gazetës belge, dokumentet e gjykatës tregojnë se një kamion me mish nga “Veviba” në Bastogne ka arritur në Kosovë më 19 shtator, 2016. Shumica e etiketave ishin shqyer, por nga ato që ende ishin të dukshme, u pa se mishi ishte nga viti 2004.

Po ashtu u zbulua se një pjesë e mishit vinte nga thertoret “Izegem” dhe “Harelbeke” dhe se ishte ripaketuar në pako me etiketën e “Veviba”-s. Në po të njëjtin muaj, Agjencia Federale belge për Siguri në Ushqim (AFSCA) ishte kontaktuar dhe u informua për zbulimin e shërbimeve kosovare gjatë një inspektimi ushqimor.

Gazeta ka kontaktuar një profesor në Universitetin e Ghentit, Bruno De Meulenaer, i cili tha se mishi i ngrirë për 12 vjet nuk do të thotë automatikisht se është i rrezikshëm për ushqim, së paku “nëse zinxhiri i ftohjes nuk është ndërprerë dhe mishi ka mbetur i magazinuar në minus 18 gradë”./GazetaTribuna/