Këta janë deputetët që kanë telashe me vjedhjen e rrymës

Zafir Berisha nga Nisma Socialdemokrate dhe Ramiz Kelmendi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ballafaqohen kanë një të përbashkët: ata kanë telashe me vjedhjen e energjisë elektrike.

Dy deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë hasur në probleme me rrymën e vjedhur, raporton Insajderi.

Kelmendi është duke u ballafaquar me një aktakuzë të ngritur nga Prokuria e Shtetit për vjedhje të rrymës nga kompania e tij biznesore “Elkos”.

Deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, njëherësh pronar i kompanisë “Elkos”, po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, se gjatë vitit 2011, ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Konktretisht, ai akuzohet për vjedhje të energjisë elektrike, ku si pronar i kompanisë “Elkos”, sipas prokurorisë, ka dëmtuar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në shumën prej 22.801.19 euro.

Kelmendi ka theksuar sot në seancën e mbajtur në Gjykatë, se e gjitha kjo është shkaktuar nga zyrtarët e KEK-ut, të Distriktit në Prishtinë, me qëllim që atij t’i shkaktohet dëm dhe të njolloset emri i tij, shkruan Insajderi.

Ndërkaq, deputeti i Nismës, Zafir Berisha e kishte pranuar në shtator të vitit të kaluar se ishte dënuar me gjobë pasi kishte vjedhur energjinë elektrike. Në një intervistë me Insajderin, Berisha kishte deklaruar se bëhej fjalë për një dënim prej 140 eurove, të shqiptuar ndaj tij.

“E di që bëhet fjalë për 140 euro për një dënim të KEK-ut. Por ende nuk kam informatë zyrtare”, kishte deklaruar Berisha për Insajderin.

Për këtë arsye, Komisioni Qendror Zgjedhor kishte vendosur që ta decertifikonte Berishën nga gara e tij për kryetar të Komunës së Prizrenit, në shtatorin e vitit të kaluar. /Insajderi.com