Hapet konkursi për drejtorin menaxhues të KEK-ut

 

Korporata Energjetik e Kosovës (KEK) sot ka bërë publik konkursin për drejtorin menaxhues të kësaj korporate, të cilën pozitë për shumë vite e ka udhëhequr Arben Gjukaj.

Konkursi do të jetë i hapur deri më 20 prill 2018, ndërsa drejtori menaxhuas do të menaxhojë për një afat 5 vjeçar minierat e thëngjillit dhe termocentralet Kosova A dhe B.

KEK-u është përballur vazhdimisht me probleme të ndryshme, si me mungesë të furnizimit me energji elektrike, defekte të shumta, rënie të blloqeve nga prodhimi i energjisë elektrike, me protestat të punëtorëve për shkak të kushteve të vështira dhe të rrezikshme në punë, me protesta të banorëve të Hadës, Sibovcit e Shipitullës për shkak të mos shpronësimit të pronave të tyre, deri të rastet fatale, aksidentet tragjike që kanë marrë jetën e disa punëtorëve.

Për ta mbajtur në këmbë prodhuesin kryesorë të energjisë elektrike në Kosovë, qeveria e vendit dhe donatorë, kanë investuar qindra milionë euro, porse gjendja nën menaxhimin e Gjukajt ka mbetur e pa ndryshuar.

Përkundër të gjitha problemeve, përformancës së dobët nga Gjukaj dhe akuzave për keqmenaxhim, ky i fundit nuk është shkarkuar.

Korporate Energjike e Kosovës është ndërmarrje publike dhe në strukturën e saj përfshihen minierat e thëngjillit, njësitë gjeneruese të termocentraleve Kosova A dhe B, financat dhe kontabilitetin, shërbimet e korporatës dhe auditimin e brendshëm.

Në njoftimin e KEK-ut thuhet se kjo kompani aktualisht realizon të hyra vjetore prej rreth 150 milionë €.