Gërxhaliu: Perspektiva e Kosovës duhet të jetë e orientuar në zhvillimin ekonomik

Me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) prezantoi indikatorët kyç ekonomik në këtë periudhë 10 vjeçare.

Në hyrje të prezantimit, Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se perspektiva e Kosovës duhet të jetë e orientuar në zhvillimin ekonomik dhe se vendi ka kaluar një dekadë me plotë sfida.

“Perspektiva e Kosovës duhet të jetë e orientuar në zhvillim ekonomik i mbështetur në sundim të rendit dhe ligjit, për më tepër i mbështetur në arsimin dhe edukim. Vërtet ka qenë një dekadë plotë sfida me të cilat është ballafaquar Kosova e cila ka qenë një periudhë e vështirë e bartur nga tranzicioni”, tha Gërxhaliu, shkruan Telegrafi.

Gërxhaliu tha se diaspora meriton respekt, ku pa ta vendi ynë nuk do të ishte këtu ku është.

“Në qoftë se për këtë 10 vjetor meriton të përkulet padyshim është diaspora, ku pa ta sot Kosova nuk do të ishte këtu ku është”, shtoi ai.

Në prezantimin e të gjeturave të indikatorëve kyç ekonomik në këtë periudhë 10 vjeçare, këshilltari në OEK, Berat Rukiqi, tha se paqëndrueshmëria politike po i kushton shumë Kosovës.

“Jo stabiliteti i politik po na kushton neve në rritjen ekonomike. Edhe pse është për t’u përshëndetur rënia e papunësisë, por kjo nuk mjafton. Në këtë normë të lartë të papunësisë, shumica janë të rinj. Ekziston një trend i uljes së papunësisë dhe në vitet e ardhshme presim të bie edhe më shumë”, tha Rukiqi.

Sipas Rukiqit, gjatë kësaj dekade nuk është ka rënie të investimeve të huaja në vend që nga viti 2008.