Beqaj në Gjilan: Rritja ekonomike në Kosovë do të bazohet në ekonominë e dijes

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj ka marrë pjesë në Konferencën Rajonale për Teknologji Informative dhe Komunikime që është mbajtur në Gjilan.Në fjalën e tij në hapje të kësaj Konference Ministri Beqaj ka folur për rëndësinë e zhvillimit të teknologjisë në shërbim të zhvillimit ekonomik të Kosovës, duke inkurajuar të gjithë ata që kanë ide inovative dhe duke siguruar se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do t’i përkrahë idetë e tyre.

“Ndërmarrësit modern kosovarë do të krijojnë punësim dhe eksport të shërbimeve, siç edhe po ndodhë aktualisht. Fokusi ynë mbetet në zhvillimin e ndërmarrësisë dhe iniciativës private. Është koha për ri-orientim të ekonomisë tonë drejt ekonomisë digjitale, që Kosova të jetë qendër rajonale e zhvillimit të ekonomisë digjitale”, tha ministri Beqaj.

Beqaj ka theksuar edhe rëndësinë që ka ekonomia e dijes në rritjen ekonomike të vendit, duke theksuar nevojën e përdorimit të dijes në fushën e teknologjisë në të mirë ekonomike.

Ministri Beqaj ka përshëndetur organizimin e kësaj Konference dhe ka prezantuara angazhimet e MIN dhe të tij si ministër në rritjen e fondit për inovacion përmes bashkëpunimit në bashkim fondesh me organizatat të fuqishme, partnerë strategjik të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Qeverisë së Kosovës.

Në hapjen e Konferencës Rajonale për Teknologji Informative dhe Komunikime ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili e ka falënderuar ministrin Beqaj për pjesëmarrje dhe ka kërkuar mbështetjen e tij në fushën e inovacioneve.