Vizita e Ramës në Londër pritet me protesta

Shqiptarët në Londër kanë protestuar sot para hotelit ku kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbante takim, gjatë vizitës së tij që po zhvillon në Londër.

Protestuesit mbanin në duar flamuj kombëtar dhe flamuj anglez, ndërsa gjatë tërë kohës thërrisnin “Rama ik”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, raporton Albuk Tv.

Kryetari i Partisë Demokratike në Londër, Naim Hasani tha para protestuesve se shqiptarët nuk mund të pajtohen me një sistem që ndjell frikë dhe ndjell pasiguri.

Hasani u bëri thirrje shqiptarëve që të mos largohen nga Shqipëria, duke pohuar se 300-mijë vetë u larguan nga Shqipëria gjatë sistemit të “Rilindjes”. Ai tha se Rama premtoi 300-mijë vende të punës, dhe “hapi 300-mijë vende, duke u larguar nga Shqipëria 300 mijë të rinj”.

Hasani theksoi se shqiptarët nuk mund të lejojnë që votat e tyre të blihen dhe të shiten. “Vota është e shenjt. Çdo qeveri që del nga vota e lirë, është legjitime dhe asnjë qeveri nuk mund të jetë legjitime e ardhur në pushtet me votat e blera dhe të vjedhura”.

Ai tha se këta të rinjtë që janë në protestë dhe mijëra të tjerë që janë në mbarë Evropën dhe Botën, duhet të ishin në Shqipëri për ta ndërtuar Shqipërinë, e cila po plaket në vazhdimësi, pasi po zbrazët nga brezi i ri.

Naim Hasani tha se Shqipëria është e lirisë e demokracisë dhe të gjithë janë bashkë për ta mbrojtur Shqipërinë.