Vdekja e punëtorit në Tiranë, policia prangos inxhinierin e firmës ndërtuese

Ditën e djeshme në zonën e Yzberishtit në Tiranë, një punëtor 35 vjeçar u rrëzua nga skela e për pasojë ndërroi jetë.

Policia njofton këtë të enjte se ka vënë në pranga inxhinierin e firmës ndërtuese si dhe ka proceduar penalisht administratorin e firmës nënkontraktore.

NJOFTIMI I PLOTË

Arrestohet në flagrancë inxhinieri i një firme ndërtimi dhe procedohet penalisht administratori i firmës nënkontraktore, pasi shkelën rregullat e mbrojtjes në punë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, i shtetasit R. P., inxhinieri i firmës ndërtuese (personi përgjegjës për sigurinë e punëtorëve në punë), pasi ditën e djeshme, në rrugën “3 Dëshmorët”, në një pallat në ndërtim, ka rënë nga lartësia punëtori shtetasi A. K., 35 vjeç, i cili ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi E. K., administratori i firmës nënkontraktore.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, i shtetasit E. H., 38 vjeç, pasi në rrugën “Hysni Xhura”, ka goditur me grushte në fytyrë shtetasin S. D., për motive të dobëta. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.