Vazhdon kriza në Jemen, anijet iraniane shqetësojnë SHBA-në

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë “të shqetësuara” se anijet e Iranit, që shkojnë drejt Jemenit, mund të jenë duke bartur armë të avancuara për rebelët shiitë huthë.

I pyetur nga gazetarët nëse SHBA-ja është e gatshme të ndalojë me forcë anijet iraniane nëse përpiqen të hyjnë brenda Jemenit, Carter ka thënë se “ka opsione”.

“Nuk jemi në atë pikë. Po bëjmë përpjekje që t’i sjellim palët në tryezë të bisedimeve”, ka deklaruar ai.

Ai po ashtu ka thënë se Uashingtoni ia ka bërë të qartë Teheranit që të mos iu “fryjë flakëve” të konfliktit.

Rebelët huthë në Jemen, që kanë qartazi mbështetjen e Iranit, janë duke luftuar kundër forcave pro-qeveritare. Ata kanë marrë kontrollin e shumë territoreve, përfshirë edhe kryeqytetin Sana.

Ndërkohë, aeroplanët luftarakë të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kanë bombarduar Jemenin të mërkurën, përkundër një njoftimi nga Riadi për ndërprerjen e fushatës së sulmeve ajrore, përderisa luftimet kanë shpërthyer përsëri në terren ndërmjet rebelëve dhe forcave besnike të presidentit në azil.