Ukrainë, gjendet i vdekur një politikan, aleat i ish-presidentit Janukoviç

Një politikan pjesë e opozitës në Ukrainë, Oleg Kallashnikov, është gjetur i vdekur në rrethana të dyshimta në Kiev.

Oleg Kallashnikov ishte aleati i fundit i qeverisë së mëparshme. Ai ishte pjesë e protestës në mbështetje të presidentit të rrëzuar Viktor Janukoviç.

Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se viktima ka pasur plagë të shkaktuara nga armë zjarri, por megjithatë ende nuk është e qartë nëse ai ka vrarë veten apo është ekzekutuar nga të tjerë persona. Raportime të ndryshme ka pasur në lidhje me gjetjen e trupit të pajetë, pasi disa kanë thënë se ai është gjetur brenda në banesë, ndërsa të tjerë kanë thënë se është gjetur jashtë saj.

Të paktën 8 aleatë të Janukoviç kanë vdekur papritmas në tre muajt e fundit. Autoritetet kanë thënë se shumica e viktimave janë vetëvrarë. Në Ukrainë ka pasur akuza si ndaj mbështetësve, por edhe ndaj kundërshtarëve të qeverisë aktuale në lidhje me këto raste.

Kallashnikov, 52 vjeç, ishte larguar nga Ukraina në shkurt të vitit të kaluar pas protestave të dhunshme të përqendruara në “Maida”, sheshi kryesor në Kiev.