Turqia shkarkon tre kryetarë komunash, dyshohen për lidhje me militantët

Autoritetet turke i kanë shkarkuar tre kryetarë komunash në rajonin e banuar me shumicë kurde dhe i kanë zëvendësuar ata me disa zyrtarë shtetëror si dhe i kanë arrestuar më shumë se 400 persona nën dyshimin se kanë lidhje me militantët. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme.

Kjo ministri gjithashtu njoftoi se e ka nisur një operacion me 2300 trupa komando kundër militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit në provincat juglindore.

Në deklaratën e ministrisë thuhet se kryetarët e qyteteve Diyarbakir, Mardin dhe Van akuzohen për krime të ndryshme, përfshirë pjesëmarrjen në organizata terroriste dhe përhapje të propagandës së grupeve terroriste.

Policia turke hodhi ujë ndaj grupeve të vogla të njerëzve që protestuan kundër shkarkimit të kryetarëve. Forcat e sigurisë e rrethuan ndërtesën e komunës në Diyarbakir me rrethojë të metaltë.

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, kishte paralajmëruar këtë vit se do të merreshin masa të tilla ndaj kryetarëve të qyteteve, nëse gjenden dëshmi se ata kanë lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila cilësohet si organizatë terroriste.

Ministria shtoi se policia i ka arrestuar 418 persona në 29 provinca për shkak të dyshimeve për lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, shkruan “Reuters