Trump: Po e shoh Francën duke u ndarë nga NATO-ja dhe po befasohem

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të martën se po e vëren se Franca është duke u larguar nga NATO-ja, duke thënë se është i befasuar me këtë, sepse, sipas tij, ky vend ka nevojë për mbrojtje më shumë se vendet tjera.

“Po e shoh Francën duke u ndarë (nga NATO-ja). Po e shikoj atë (presidentin francez, Emmanuel Macron) dhe po i them se ai ka nevojë për mbrojtje më shumë se të gjithë të tjerët dhe po e shoh duke u ndarë. Prandaj jam paksa i befasuar me këtë”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Ndryshe, aleanca më e fuqishme dhe më e suksesshme ushtarake në botë, NATO, po e feston 70-vjetorin e themelimit gjatë një samiti dyditor, i cili do të mbahet në Londër të martën dhe të mërkurën, më 3 e 4 dhjetor.

Të njëzetenëntë aleatët do të kenë shumë gjëra për t’i diskutuar gjatë këtyre dy ditëve, përfshirë të ardhmen politike të organizatës për shkak të shenjave të përçarjes disa ditë para fillimit të bisedimeve.

Franca, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara po shkojnë në këtë samit me pikëpamje të ndryshme.

Presidenti francez kishte deklaruar se truri i NATO-s ka vdekur, presidenti amerikan ka kërkuar më shumë shpenzime për mbrojtje nga vendet e Evropës, ndërsa Turqia e ka kushtëzuar përkrahjen për planet e aleancës me njohjen e forcave kurde si grup terrorist, shkruan “Reuters”.