Trump: Nëse nuk ka pakt me Kinën, unë jam “Njeriu i Tarifave”

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të martën se nëse ka mundësi, do të arrihet një marrëveshje me Kinën, mirëpo në rast se të dyja palët nuk mund të zgjidhin konfliktet e tyre, ai do të rikthejë tarifat.

Trump ka thënë se ekipi i tij i këshilltarëve për tregti dhe Përfaqësuesi amerikan për Tregti, Robert Lighthizer, do të vlerësojnë nëse një “marrëveshje e vërtetë” me Kinën është e mundshme.

“Nëse është e mundshme, do të realizohet”, ka thënë Trump në një postim në Twitter.

“Por nëse jo, mos harroni, unë jam Njeriu i Tarifave”.

Presidenti republikan ka përmendur mundësinë e zgjatjes së armëpushimit 90-ditor për tregti, për të cilin është pajtuar ai edhe presidenti kinez, Xi Jinping gjatë vikendit.

“Negociatat me Kinën tashmë kanë filluar. Nëse nuk vazhdojnë, masa 90 ditore do të përfundojë pas një darke fantastike dhe takimit të ngrohtë me presidentin Xi në Argjentinë”, ka thënë Trump në Twitter.

Të dy presidentët janë pajtuar për arritjen e një armëpushimi në luftën tregtare që ka prekur produkte në vlerë të miliarda dollarëve.

Presidenti amerikan pati arsyetuar aplikimin e masave të tilla ndaj Kinës me ato që i ka cilësuar si “praktika të padrejta tregtare të këtij shteti” ndaj ekonomisë amerikane.